Ndihma humanitare për Ukrainën po grumbullohen edhe në Shkup

Date:

Këto ndihma për fëmijët ukrainas janë dhuruar nga prindërit që humbën dy djemtë e tyre në Maqedoni, shkruan Alsat.

Është donacioni më prekës që kanë marrë vullnetarët në pikën për mbledhjen e ndihmave humanitare në Shkup për Ukrainën. Nga i gjithë vendi po mblidhen gjëra ushqimore, sanitare, medikamente dhe veshmbathje. Kjo pikë është e hapur në rrugën “Sharplaninska -4 ” në Gjorçe Petrov.

“Këto pelena i dhuroi zotëria nga lagja Vllae, për fat të keq ka humbur dy djem dhe na tha se nuk i duhen andaj i dhuroi që ti përdor dikujt që i duhen, tani ne e dimë se për kënd janë më se të nevojshme këto”, tha Marijanço Vellkovski, shtetas maqedonas.

Sipas Shoqatës së ukrainasve në Maqedoni, deri më sot janë nisur 3 maune me ndihma nga Maqedonia.
Studentja ukrainase Daria Tritinova, e cila në tri vitet e fundit studion në Shkup, iu është bashkangjitur aksionit për të ndihmuar bashkëkombësit që janë në luftë. Ajo tha se ndihmat vijnë nga gjithë vendi.

“Familjet tona dhe shoqëria nuk kanë ushqim e as medikamente të mjaftueshme. Ata nuk mund të blejnë ngaqë shitoret janë zbrazur. Ne po përpiqemi të mbledhim sa më shumë gjëra ushqimore dhe sanitare, të cilat do ti dërgojmë në kufirin e Ukrainës me Poloninë. Aty ka qendra që shpërndajnë gjëra se cilat rajone kanë nevojë për medikamente, ushqim ngaqë zona lindore ka nevoja emergjente, kurse zona perëndimore nuk është edhe aq e dëmtuar”, u shpreh Daria Tritinova, Shtetase ukrainase.

Njëkohësisht, donacionet mund të bëhen edhe përmes bankës. Kurse deri më 15 mars Kryqi Kuq ka hapur një linjë telefonike me nr. “143-400” që për çdo lajmërim dhurohen nga 100 denarë. /Alsat.mk