Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar për vlerat tona dhe për paqën në Evropë

83

Shkruan: Rachel Galloway, Ambasadore e Madhërisë së Madhe në Maqedoninë e Veriut

Sulmi i paprovokuar, i paramenduar dhe barbar i Rusisë ndaj Ukrainës e tronditi botën. Teksa i shohim
imazhet e gjakderdhjes dhe shkatërrimit, sulmet në blloqet me apartamente dhe rrugët e
vendbanimeve, kujtojmë edhe jetët e humbura dhe dëmet e shkaktuara në tmerret e konflikteve të tjera
të shekullit të 20-të në Evropë. Konfliktet për të cilat shumë njerëz pretendonin se ishin shumë prapa
nesh. Konflikte që përfunduan nga një arkitekturë ndërkombëtare e krijuar për të gjetur mënyra të tjera
për t’i zgjidhur problemet e kombeve.

Se sa e brishtë duket të jetë ajo arkitekturë ndërkombëtare dhe premtimi i paqes, sigurisht që varet nga
vendi ku uleni dhe sa kohët e fundit konfliktet e Evropës e kanë prekur jetën tuaj.

Historia e familjes sime është historia e hebrenjve evropianë. Historia e atyre pak njerëzve që i
mbijetuan konfliktet e shekullit të 20-të. Gjyshi im ishte i lindur në Rivne (atëherë Rovno), 304 km larg
Kievit, në vitin 1909. Prindërit e tij udhëtuan për në Angli në vitin 1911 pas një përpjekjeje të Kozakëve
për të marrë xhaxhain tim të madh 4 vjeç. Gjyshja ime ishte e lindur në Angli, ndërsa në vitin 1923
udhëtoi për të vizituar familjen e saj në Lviv. Nëna e saj, stërgjyshja ime, zbuloi se ajo ishte shtatzënë,
kështu që qëndruan atje për një vit. Gjyshes i pëlqente të fliste për xhaxhain e saj dhe familjen e tij në
Lviv dhe përdori një fjalim të papritur në ditëlindjen e saj të 90-të për të na treguar ato histori edhe një
herë. Gjyshi tjetër na tregonte përralla që vareshin nga njohja e dallimeve midis njerëzve që jetonin në
Minsk, Pinsk dhe Çelm. Kurse vajza ime u lind në nëntor 2013, kur ukrainasit dolën rrugëve për të
kërkuar të drejtën për të zgjedhur të ardhmen e tyre.

Pra, kur shoh shkatërrimin në Ukrainë, nuk shoh historinë e një vendi të largët. Kur shoh se Rusia e ka
bombarduar Babyn Yar në vitin 2022, më kujtohen 33.771 hebrenj ukrainas të vrarë atje në vitin 1941. Si
çdo vit këtu, ne e përkujtojmë deportimin dhe vrasjen e 7.144 hebrenjve të Maqedonisë në mars të vitit
1943. Dhe kur i përkujtojmë, themi kurrë më. E themi sepse e besojmë. Sepse këto janë vlerat tona.

Putini tregoi se nuk dëshiron t’i shohë ato vlera në Rusi apo fqinjët e saj. Ai nuk dëshiron të shohë një
Ukrainë sovrane që të zgjedhë rrugën e saj si demokraci perëndimore. Ai nuk dëshiron të shohë një
Ballkan që e ndjek rrugën euroatlantike, rrugë të cilën e kërkojnë qytetarët e tij.

Prandaj, duhet të vazhdojmë të veprojmë së bashku për të treguar se besojmë në vlerat tona. Se do të
marrim vendime të vështira në mbështetje të vlerave tona. Se jemi të bashkuar në dënimin e luftës së
Putinit kundër Ukrainës, popullit të saj dhe vlerave të tyre.

Jemi të bashkuar në organizatat ndërkombëtare. 141 vende në Kombet e Bashkuara e dënuan luftën
dhe kërkuan tërheqjen e forcave ruse. 38 vende i kanë referuar (paraqitur) mizoritë e Rusisë në Ukrainë
në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Është referimi më i madh në historinë e kësaj gjykate. Mbi 40
vende në OSBE i kanë dënuar veprimet e Rusisë. Këshilli i Evropës e ka pezulluar Rusinë.
Jemi të bashkuar në ndërprerjen e financimit për makinerinë luftarake të Putinit. Këto janë masat më të
forta ekonomike që Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët tanë i kanë miratuar ndonjëherë. Kemi rënë
dakord për sanksione ndaj sektorit bankar, mbrojtjes dhe transportit të Rusisë, ndaj kompanive dhe
oligarkëve që e përbëjnë zemrën e regjimit të Putinit. Fluturimet ruse janë ndaluar në hapësirën ajrore
të Mbretërisë së Bashkuar dhe anijet ruse janë të ndaluara nga portet e Mbretërisë së Bashkuar. Do t’i
ngrijmë asetet e bankave ruse dhe do të nxjerrim ligje për të ndaluar shtetin rus dhe industritë dhe

kompanitë vitale për ekonominë e Rusisë (si Gazprom) të mbledhin financa në tregjet e parave të
Mbretërisë së Bashkuar – që është qendra financiare më e rëndësishme në Evropë.

Jemi të bashkuar në mbështetjen tonë për Ukrainën dhe popullin e saj. Britania e Madhe dhe aleatët
tanë tashmë po ofrojnë ndihmë ushtarake ekonomike, humanitare dhe mbrojtëse. Mbretëria e
Bashkuar po vazhdon të bëjë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar Ukrainën me trajnimin e
22.000 ushtarëve, furnizimin e 2.000 raketa anti-tank, sigurimin e 100 milionë paundëve (£) për
reformën ekonomike dhe pavarësinë energjetike dhe 120 milionë paundëve (£) ndihma humanitare dhe
garantim deri në 500 milionë dollarë për financim të Bankës për Zhvillim.

Tani duhet patjetër të qëndrojmë të bashkuar. Ajo që do të ndodhë më pas është kritike për paqen dhe
sigurinë në Evropë. Dhe për vlerat për të cilat luftojmë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here