Zelensky e falënderon Biden: Çdo qindarkë e paguar për Rusinë kthehet në plumba (VIDEO)

Date:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë ndalur importin e naftës dhe gazit nga Rusia.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka falënderuar presidentin amerikan Joe Biden pas njoftimit për ndalimin e importeve të naftës ruse, duke ashpërsuar bilancin e ekonomisë ruse, si hakmarrje për pushtimin e saj në Ukrainë.

“Unë i jam mirënjohës personalisht presidentit të SHBA-ve, Joe Biden për këtë vendim. Për këtë lidership. Për këtë sinjal të fuqishëm për të gjithë botën. Është shumë e thjeshtë: çdo qindarkë e paguar për Rusinë kthehet në plumba dhe predha që fluturojnë drejt shteteve të tjera sovrane”.

“Rusia ose do të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe nuk do të bëjë luftëra, ose nuk do të ketë para për të nisur luftërat”, ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Zelensky tutje ka thënë që lufta duhet të përfundojë.

“Ne duhet të ulemi në tryezën e bisedimeve – të cilat duhet të jenë ndershme, thelbësore, në interes të popullit, jo ambiciet e vjetruara vrasëse”, tha Zelensky në një video-mesazh nga zyra e tij.