Decentralizimi/ Grubi: MO kaloi rrugë të vështirë, por krijoi bazë juridike për ndarje të re territoriale dhe pushtet lokal më funksional

Date:

Zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Artan Grubi gjatë  konferencës ndërshtetërore “Forumi i Qeverisjes Lokale në Ballkanin Perendimorë”, organizuar në Republikën e Kosovës, në të cilën morën pjesë  zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj dhe përfaqësues të tjerë zyrtarë të vendeve, ka folur për procesin e decentralizimit si proces për të cilin ai tha se “ka qenë më tepër si një mision më i gjerë shoqëror, që në thelb ngërthen idealet e barazisë”, raporton indeks.mk

Ai ka thënë se mangësitë e këtij procesi janë përmirësuar pas luftës së vitit 2001.  E sipas tij, MO si marrëveshje historike luajti rol kyç në transformimin e realitetit duke vendosur fokusin në zhvillimin e vetëqeverisjes lokale.

“Mangësitë e atij modeli do të korrigjohen menjëherë pas luftës së vitit 2001 me nënshkrimin e Marrëveshjes të Ohrit, kur u krijuan kushte më të favorshme kushtetuese-juridike, ku pushtetit lokal do t’i kalojnë shumë kompetenca, për një pushtet më efikas dhe më funksional, por në anën tjetër, edhe për ta çuar në shkallë më të lartë edhe barazinë etnike”, tha në fjalën e tij, Artan Grubi.

Kjo Marrëveshje historike, sipas tij, luajti rol kyç në transformimin e realitetit duke vendosur fokusin në zhvillimin e vetëqeverisjes lokale si thelbësor për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën demokratike dhe në promovimin e vlerave dhe mbrojtjen e identitetit kulturor e gjuhësor.

Ai tha se  Marrëveshja e Ohrit ka iniciuar  ndryshime të mëdha edhe në ndarjen territoriale të komunave dhe qytetit të Shkupit, por duke vënë në dukje se vetë nënshkrimi i marrëveshjes Kornizë më 13 gusht të vitit 2001 dhe ndryshimet kushtetuese një vit më pas, dhe implementimi në praktikë nuk ka shkuar përherë një rruge të lehtë.

“Nga ky këndvështrim, Marrëveshja e Ohrit inicoi ndryshime të mëdha edhe ndarjen territoriale të komunave dhe qytetit të Shkupit, si njësi me status të veçantë, krijoi bazën juridike të rritjes së kompetencave të komunave dhe burimeve të financimit të tyre dhe përfundimisht duke u përkujdesur për ndarjen transparente dhe të barabartë të atyre burimeve”, tha Grubi.