23 vjet nga masakra në Krushë të Madhe

Date:

23 vjet më parë, konkretisht nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

Masakra në Krushë të Madhe është më e madhja që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe shumë persona nga Krusha e Madhe.

Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serbë.

Pavarësisht kësaj, për këtë masakër, asnjëherë nuk pati një proces të mirëfilltë hetimor dhe askush nuk është dënuar drejtpërsëdrejti për krimet e kryera në këtë fshat.

Po ashtu, sot mbushen 23 vjet nga masakrimi i dëshmorëve dhe martirëve në fshatrat Fortesë, Brestoc dhe Celinë të Komunës së Rahovecit.

Gjatë luftës së vitit 1999 në fshatin Fortesë janë vrarë nga forcat serbe 69 martirë, në Brestoc 5 dëshmorë dhe 49 martirë, ndërsa në Celinë janë vrarë 75 martirë.