Austria dhe Gjermania për përshpejtimin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor

Date:

Kancelarët Scholz dhe Nehammer u takuan në Berlin. Gjermania dhe Austria në sfondin e luftës me sulmin rus ndaj Ukrainës duan ta avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Çdo vonesë e mëtejshme e bën Ballkanin Perëndimor vulnerabël dhe të hapur ndaj influencës nga një palë e tretë”, tha kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz të enjten në Berlin në takimin me homologun austriak, Karl Nehammer.

“Nuk na duhen vetëm fjalimet për perspektivat e mundshme evropiane, por tani duhet ta realizojmë këtë”, theksoi Nehammer.

Nëse nuk bëhen përparime të shpejta ky rajon mund të bëhet zonë influence e Rusisë dhe Kinës.

Në Ballkanin Perëndimor Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia kanë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova janë si kandidatë “potencialë” ende larg antarësimit. Me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut bisedimet e antarësimit duhej të kishin filluar prej kohësh, por hapja e tyre ka dështuar vazhdimisht prej rezistencës së vendeve të ndryshme anëtare të BE-së.

Socialdemokrati Scholz kërkoi që më në fund të fillojnë bisedimet me këto dy vende, duke ndjekur të njëjtën frymë si edhe paraardhësja e tij kristiandemokrate Angela Merkel, që është angazhuar fort prej vitesh për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

“Edhe ne në BE duhet të çojmë përpara reformat institucionale, për të qenë edhe vet të aftë të zgjerojmë BE-në”, shtoi Scholz.

Nehammer iu referua “zonave të mëdha të influencës së Federatës Ruse” në Ballkanin Perëndimor.

Nisur nga “interesi gjeostrategjik” është e rëndësishme dhe e drejtë, që “ne vërtetë (…) të vihemi në lëvizje dhe t’u ofrojmë vërtetë njerëzve perspektivën frytdhënëse”.

Për këtë ai tha, se do të angazhohet për të bindur “skeptikët” brenda BE-së. “Pohimi i qartë, që Ballkani Perëndimor i përket Evropës, tani duhet edhe të jetësohet”, tha Nehammer./DW/