Momenti i së vërtetës!

Date:

Mund të jenë të dëshpëruar ata që kanë pritur të dëshmojnë tezat e tyre manipulative, edhe ata që kanë shkruar libra historie me ardhacakë e kaçakë, edhe ata që harrojnë shpërnguljen masive të kohës së ish-Jugosllavisë, si për Turqi, si në perëndim, edhe ata që duan një Maqedoni veç për vete, jashtë realitetit… Këto përqindje duhet t’iu shërbejnë si sedativë për t’u kthjellë dhe për ta parë realitetin ashtu siç është

Nga Daut DAUTI

  1. Më në fund, pas shumë pritjeve, supozimeve dhe spekulimeve, Enti i Statistikës i publikoi të mërkurën rezultatet e regjistrimit të vitit të kaluar. Në kushte pandemie, në kushte të manipulimeve politike, dhe në kushte të kontestimit të modelit, procesi u krye me sukses, edhe atë, çuditërisht, për t’i (mos) kënaqur të gjithë.

Dita e mërkurë, ose dita D e regjistrimit të popullsisë, siç e quajtën në media, solli një rezultat interesant. Ky rezultat mund t’i ketë dëshpëruar shumë licitues të numrit të shqiptarëve, dhe të ketë inkurajuar shqiptarët në anën tjetër, të cilët po dëshmojnë se përkundër të gjitha lëvizjeve popullatave, numri i tyre mbetet konstant. Por dhe t’i ketë dëshpëruar pak edhe vetë shqiptarët, për shkak të trendëve. Në njërën anë, konstanta konsiston me faktin se përkundër lëvizjeve migrative, numri i tyre në popullsinë rezidente nuk ka rënë më shumë se 0,9 (nga 25.17 ka rënë në 24,3), por kjo shifër është shumë më e lartë se e ajo e “planifikuara” e licituesve keqdashës, të cilët kanë shpikur shumë teza për gjoja fryrjen e përqindjes së shqiptarë gjatë regjistrimit të vitit 2002. Licituesit tash do të kërkojnë behane jo aq te numri i shqiptarëve përtej 20-përqindëshit të Marrëveshjes së Ohrit, por te “diversioni” që sipas tyre mund t’i jetë bërë numrit të maqedonasve, që kanë rënë nga 64 në 58,48 për qind.

Për të pasur një simetri midis pakënaqësive në dy taborët etnikë, kur shpesh bëhet edhe ajo qasja selektive, për të treguar një element, e për të heshtur një tjetër, në këtë valle u kyç opozita shqiptare, e cila nuk e shikon rritjen e shqiptarëve te popullsia e përgjithshme(afro 2.1 milionë) ku tashmë i janë afruar 30 përqindëshit(29.52), por uljen e numrit të shqiptarëve në kategorinë e popullsisë rezidente. Dhe, kuptohet, opozita heshtë faktin tjetër: atë të uljes së përqindjes së maqedonasve nga 64 për qind në 58 ose 54. Nëse e akuzojnë BDI-në që ka ndikuar në uljen e numrit të shqiptarëve, atëherë i bie që njëkohësisht BDI-ja të ketë “merita” edhe për uljen e përqindjes së maqedonasve! Vërtet joserioze.

Shifrat doemos janë tregues i disa tendencave që nuk mund të anashkalohen dhe eventualisht të një defekti të vogël të regjistrimit.

Sepse, edhe ata që nuk donin regjistrimin e popullsisë jorezidente, e kanë vetëm popullsinë jo rezidente, edhe për ata që donin të kenë pasqyrë të gjithë popullsisë, me gjithë atë në botën e jashtme, po ashtu e kanë. Kush të dojë le të lexojë shtyllën e vet të preferuar. Pikërisht për shkak të këndvështrimeve të ndryshme, mendoj se është bërë mirë që në këtë regjistrim është veçuar numri i popullsisë së përgjithshme, nga numri i popullsisë rezidente. Kjo, për arsye që disa qarqe politike, intelektuale e mediale, vite me radhë kanë propaguar numrin e ulët të shqiptarëve, duke shpresuar se këtë ulje ta ketë bërë procesi i imigrimit, edhe pse këtë nuk e thoshin haptas. E po ja, nuk iu doli matematika: prapë shqiptarët janë minimum 24 për qind në popullsinë rezidente (se shpresonin të kenë “avulluar” shqiptarët nga vendi), me çka ëndërronin do ndryshme kushtetuese dhe rrënimin e shtyllave të barazisë së vendosur nga Marrëveshja e Ohrit.

Në anën tjetër, shqiptarët mund të jenë të gëzuar që po dëshmohet prania e tyre “mbi 30 për qind”, që nuk u realizua plotësisht, por “aty afër”. Në anën tjetër, edhe pse me natalitet më të lartë se maqedonasit, për këto dy dekada pa të dhëna statistikore, në popullsinë rezidente nataliteti nuk ka ardhur fare në shprehje, sepse emigrimi masovik në botën e jashtme, e ka prekur seriozisht, që mund të shihet edhe te disa komuna ku largimi shprehet me mijëra qytetarë. Të vazhdonte trendi i regjistrimeve të mëparshme, pa largime jashtë vendit, kur rritja dhjetëvjeçare ka qenë rreth 2-3 për qind, atëherë për dy dekada përqindja do të rritej në 30 për qind.

Më të pakënaqurit nga rezultati doemos do të duhej të ishin maqedonasit, tek të cilët rënia është nga 64 në 58 (në popullsinë rezidente),gjegjësisht 54 për qind në popullsinë e përgjithshme. Faktori i natalitetit, doemos do të shprehej kundrejt shqiptarëve me ulje të domosdoshme, ndërkaq procesi i emigrimit, duket se në të dhënat statistikore i ka favorizuar maqedonasit për katër numra indeksorë.

Defekti që përmenda më sipër, por i supozuar, është ai që e përmend edhe Pavle Trajanovi, mospërfshirja e një numri më të madh maqedonasish që punojnë jashtë. Por, për këtë, nuk mund të akuzohet Enti i Statistikës as metodologjia e regjistrimit nëse dikush nuk ka pasur ndonjë motiv për regjistrim, edhe pse qe ofruar mundësia. Aq më pak mund të jenë fajtorë shqiptarët, të cilët, kanë pasur motivimin dhe mobilizimin konkret organizativ. Ky mund të jetë një shpjegim, kundrejt mundësisë se vërtet numri i shqiptarëve ndër vite të jetë rritur më tepër në diasporë. Por, të gjitha këto janë supozime, për çka nevojiten hulumtime. Ajo që e ka gabim Pavle Trajanovi dhe të tjerë, është se edhe në mungesë të konsiderueshme për shkak të migrimit jashtë, shqiptarët nuk janë “vetëm” 20 për qind sa thotë ai(të tjerët thonë edhe më pak), por të paktën një çerek i popullsisë.

Pas shpalljes së rezultateve, mund të jenë të dëshpëruar ata që kanë pritur të dëshmojnë tezat e tyre manipulative, edhe ata që kanë shkruar libra historie me ardhacakë e kaçakë, edhe ata që harrojnë shpërnguljen masive të kohës së ish-Jugosllavisë, si për Turqi, si në perëndim, edhe ata që duan një Maqedoni veç për vete, jashtë realitetit…

Këto përqindje duhet t’iu shërbejnë si sedativë për t’u kthjellë dhe për ta parë realitetin ashtu siç është.

 

  1. Kishte kohë që nuk kisha kaluar nga ura e Vardarit përskaj ministrisë së punëve të jashtme për nga Qendra Tregtare. Dhe pastaj nga kureshtja kalova djathtas dhe pashë anijen që qysh vjet nisi të prishet me urdhër të ish-kryetarit të Shkupit, një nga absurdet e pushtetit. E fotografova anijen e shëmtuar, që dukej sikur lëkura e gomarëve kur i kapë zgjebja! Një pjesë e dërrasave ishte shqepur, pjesa dërmuese kishte mbetur, dritaret kishin mbetur pa xhama dhe shumëçka tjetër, por anija ishte ende aty. Një shëmti që t’i vriste sytë. Herën e fundit që kisha lexuar për këtë rast ishte që pronari i anijes i kishte përzënë prishësit duke u trimëruar pas ndërrimit të pushtetit.

Po këto ditë, u bë një spektakël në selinë e PD-së në Shqipëri. Pasi grupi i rithemelimit mori vendimin e gjykatës se statuti i tyre është valid, ithtarët e Berishës e pushtuan sërish selinë e PD-së. Edhe pse ka një afat ligjor për kundërveprime, Berisha e ka shpallur si të kryer çështjen e kthimit në seli, ku para do kohe u përpoq të hynte, por u spraps nga blindat që i kishte vendosur ndërkohë Lulzim Basha. Dhe është interesant, se me t’u kthyer Berisha në seli, gjënë e parë, që bëri ishte spektakli për t’i hequr dyer e blinduara e hekurat përforcues të selisë! Çudi e madhe, a hidhet poshtë gjithë ai investim vetëm për të dëshmuar absurdin e vendosjes së tyre nga ana e Lulzim Bashës. Këtë gjë tashmë e pa i gjithë publiku dhe nuk kishte nevojë të prishet ai konstrukt i padëmshëm fundja. Ku të dish nesër në një situatë tjetër…Si bunkerët e Enverit që herëdokurdo mund të hyjnë në punë prapë!

E ja, gjeni i vetëshkatërrimit. Si me anijen në Shkup, si me selinë e PD-së. Nëse nuk mund të ndreqësh, të paktën mos prish!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)