Në Kuvendin e Serbisë hyjnë 12 lista, një prej tyre shqiptare

Date:

Serbia ka mbajtur gjatë ditës së djeshme zgjedhje të trefishta – lokale, parlamentare dhe presidenciale.

Sipas dy organizatave joqeveritare, Cesid dhe Ipsos, të cilat kanë rezultatet e 88.8 për qind të numrit të votave, 12 lista zgjedhore po hyjnë në parlament.

Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës më në krye me deputetin Shaip Kamberi ka fituar besimin e 0,3 për qind të qytetarëve, përkatësisht do të jetë zë i vetëm i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.

Partia tjetër shqiptare, “Alternativa për Ndryshim” e Shqiprim Arifit për momentin ka 0.09 për qind, e cila gjë do të thotë se nuk do të ketë asnjë ulëse në Kuvendin e Serbisë, raporton b92.

Partitë dhe listat që do të jenë në legjislacionin e ri të Parlamentit të Serbisë janë edhe Lista e Aleksandar Vuçiq – “Së bashku mund të bëjmë gjithçka” – 42,9 për qind (121 vende), Marinika Tepiq – “Të bashkuar për fitoren e Serbisë” – 13,5 për qind (38 vende), Ivica Daçiq – Kryeministër i Serbisë – 11,4 për qind ( 32 mandat), Millosh Jovanoviq – “Shpresa për Serbinë” – 5,4 për qind (15 mandate).

“Moramo” – 4,6 për qind (12 mandate), Boshko Obradoviq – Lëvizja serbe Dveri – POKS – 3,9 për qind (10 mandate), Milica Gjurgjeviq Stamenkovski – Partia Serbe Zavetnici – 3,8 për qind (10 mandate).

Ndër partitë e tjera të pakicave që hyjnë në parlament është Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës – Istvan Pastor – 1,6 për qind (5 vende), trashëgimia e Myftiut – Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit – 1 për qind (3 vende), Së bashku për Vojvodinën – Vojvodinë – 0,7 për qind (2 mandat), SDA Sanxhak – Dr. Sulejman Ugljanin – 0,5 për qind (1 mandat). /Telegrafi/