Simboli ‘Z’, kudo në Mitrovicë të Veriut

Date:

Dragani nga Mitrovica e Veriut, një komunë me shumicë serbe që gjendet në veri të Kosovës, thotë se nuk guxon të shprehë publikisht mendimin e tij për përdorimin dhe promovimin e simbolit ‘Z’ në qytetin e tij.

Në Rusi, shkronja ‘Z’ përdoret si simbol i pushtimit ushtarak në Ukrainë, vizatohet ose ngjitet në makina civile dhe bilborde, e disa të tjerë e kanë stampuar edhe në bluzat e tyre.

“Unë nuk e di as si do ta ketë emrin Zelensky pasi ata hoqën shkronjën ‘Z’”, thotë Dragani për Radion Evropa e Lirë.

Në Mitrovicën e Veriut në mbrëmjen e 3 prillit, një grup qytetarësh festuan fitoren e Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit, duke vendosur simbolin ‘Z’ në makinat e tyre, e duke valëvitur flamuj partiak dhe atë rus.

Edhe në javët e kaluara, simboli ‘Z’ ishte parë i vizatuar në muret e disa ndërtesave në Mitrovicë të Veriut.

Jovani, banor i Mitrovicës së Veriut, beson se simboli ‘Z’ vizatohet pa vetëdije nga të rinjtë dhe sipas tij, askush nuk i përkrah veprimet e tilla.

“Të rinjtë po i bëjnë këto. Ata nuk janë të vetëdijshëm për simbolet dhe ngjarjet e luftës dhe tmerret që aktualisht po ndodhin në Ukrainë”, thotë Jovani.

Në fund të marsit, Ukraina u ka bërë thirrje shteteve që të dënojnë penalisht përdorimin e simbolit ‘Z’, i cili konsiderohet si mbështetje për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Fillimisht e përdorur në tanket ruse që kanë hyrë në Ukrainë, shkronja ‘Z’ besohet se ka kuptimin “za pobedu” (për fitore) – dhe ky simbol shumë shpejt nisi të përdorej nga rusët si shenjë mbështetjeje për pushtimin e Ukrainës.

Tri lande gjermane, Berlini, Bavaria dhe Saksonia e Ulët – tashmë kanë thënë se kushdo që përdor simbolin për të promovuar luftën, mund të dënohet me deri tre vjet burgim.

Ministria e Brendshme gjermane ka paralajmëruar se ata që e prezantojnë simbolin për të “mbështetur” pushtimin “mund të ndiqen penalisht”.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dimitry Kuleba, u ka bërë thirrje dhe vendeve tjera që të ndjekin shembullin e Gjermanisë.

“’Z’ nënkupton krimet ruse të luftës, bombardim të qyteteve, mijëra ukrainas të vrarë”, ka thënë Kuleba në një postim në Twitter.

“Duhet të ndalohet mbështetja publike e këtij barbarizmi”.

Cili është qëndrimi i Kosovës?

Qëndrimi zyrtar i Kosovës është dënimi i pushimit rus të Ukrainës. Prishtina zyrtare ka vendosur sanksione ndaj Moskës, në përputhje me sanksionet e shteteve perëndimore.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë udhëzime se si të veprojnë kur simboli ‘Z’ promovohet publikisht.

“Për mua është e panjohur sa i përket shkrimit [të simbolit ‘Z’], pos nëse nuk merret tani ndonjë vendim për këtë”, thotë Radoviq.

Radio Evropa e Lirë i ka drejtuar pyetje Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës lidhur me atë se a janë në dijeni që simboli ‘Z’ po promovohej në veri të Kosovës, në mbështetje të pushtimit rus të Ukrainës dhe se a do të tolerohej një gjë e tillë. Por, këto institucione nuk kthyen përgjigje.

Eksperti i së drejtës penale, Ismet Salihu, thotë se aktualisht nuk ka ndonjë dispozitë specifike të Qeverisë së Kosovës, e cila do të dënonte përdorimin e simbolit ‘Z’ dhe përkrahjen e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Sipas tij, në Kosovë nuk do të jetë e mundur ndjekja penale për mbështetjen publike për Rusisë sepse asnjë tribunal ndërkombëtar ende nuk e ka përcaktuar se ky shtet ka kryer krime lufte në Ukrainë.

Ukraina dhe shtetet e tjera, si dhe organizatat ndërkombëtare, kanë thënë se Rusia po shkel rregullat e luftës. Ato e kanë akuzuar Moskën se ushtarët e saj kanë kryer krime lufte kundër civilëve si dhe gjenocid.

“Krimet e luftës dhe gjenocidi konsiderohen krim vetëm kur një gjykatë e konstaton dhe nuk bazohet në bazë të fjalëve dhe shkrimeve”, thekson Salihu. Ai beson se njerëzit që mbështesin njërën apo tjetrën palë, nuk mund të ndiqen penalisht.

Si reaguan Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut?

Që prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, shkronja ‘Z’ ka qenë një simbol mjaft i pranishëm në Rusi, në mbështetje të luftës, ushtrisë, politikës së Kremlinit dhe mbi të gjitha presidentit Vladimir Putin.

Në shtetet e rajonit, simboli ‘Z’ deri më tani është përdorur në Serbi në protestat pro-ruse në Beograd dhe fotografitë e kësaj proteste janë publikuar edhe në rrjetet sociale. Ky simbol është parë edhe në tubimet e organizuara nga grupet e ekstremit të djathtë në Serbi në mbështetje të pushtimit rus të Ukrainës.

Serbia e ka dënuar agresionin kundër Ukrainës, duke thënë se mbështet integritetin territorial të Kievit, po ka refuzuar që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, ashtu siç kanë kërkuar shtetet perëndimore.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit, njoftuan më 6 prill se qytetarët e këtij shtetit, mediat dhe subjektet e tjera që mbështesin të dyshuarit për krime lufte kundër civilëve në Ukrainë, mund të dënohen deri në pesë vjet burg.

“Miratimi ose justifikimi i gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit apo krimeve të luftës paraqet krim sipas nenit 407 të Kodit Penal”, u tha në njoftim.

Maqedonia e Veriut po ashtu i është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë.

Ndërkaq, Mali i Zi ende nuk e ka miratuar vendimin për zbatimin e sanksioneve të vendosura kundër Rusisë.

Bosnja e Hercegovina, që prej nisjes së krizës në Ukrainë, nuk ka pasur një qëndrim të përbashkët për luftën në këtë shtet dhe për sanksionet kundër Rusisë.