Bekteshi në Forumin Ekonomik Delfi: Menjëherë pas fillimit të krizës në Ukrainë, Qeveria e RMV-së miratoi pakon prej 26 masash kundër krizës me vlerë 400 milionë euro

Date:

Kriza në Ukrainë ka pasur një ndikim të fortë në ekonominë globale dhe në standardin jetësor të miliona qytetarëve në mbarë botën, dhe Maqedonia e Veriut nuk është përjashtuar nga efektet negative të konfliktit. Vetëm dy javë pas fillimit të krizës në Ukrainë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi një pako prej 26 masash kundër krizës me vlerë 400 milionë euro për të zbutur presionet e çmimeve nga kriza energjetike dhe rritja e çmimeve të ushqimeve në tregjet botërore, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Delphi që po mbahet në qytetin Delphi të Republikës së Greqisë.

Në panelin me titull “Si ndikon kriza në Ukrainë në ekonomitë e rajonit”, ministri Bekteshi iu referua efekteve negative të shkaktuara nga kriza në ekonominë e Maqedonisë së Veriut dhe reagimit të shpejtë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të trajtuar shpejt dhe në mënyrë efektive goditjet e pashmangshme të çmimeve.

Ministri Bekteshi potencoi se edhe pse shkëmbimi tregtar i Maqedonisë së Veriut me Rusinë nga tregtia e përgjithshme e vendit është rreth 1%, kurse tregtia me Ukrainën është rreth 1.5%, që do të thotë se konflikti nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në bilancin tregtar, por kriza e përhapur në tregjet evropiane, të cilat vendi ynë realizon shkëmbimin më të madh tregtar ka një ndikim të madh në ekonomi.