Grubi: Alternativë tjetër nuk ka as BE, përveç se ta integrojë rajonin urgjentisht.

122

 I ftuar special nga RMV-ja në kongresin e Partisë Socialiste të Shqipërisë i cili po zhvillohet sot në Tiranë, Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi foli për integrimin e RMV-së dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe “problemet” me të cilat shfaqen gjatë rrugës për këto dy vende, raporton indeks.mk.

Grubi foli edhe për sigurinë dhe ndodhitë e fundit në Ukrainë është një alarm për Bashkimin Evropian që ti integrojë sa më shpjetë vendet e Ballkanit Perëndimorë. Shtoi se Zëri i bashkuar i shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë palca kurrizore e frymës euroamerikane të rajonit tonë.

Fjalimi integral i Zv. kryeministrit të parë, Artan Grubi:

Të nderuar nikoqirë, i dashur Kryeministër Rama,  znj. Xhaçka,  z. Peleshi, panelist, mysafirë, Ju falënderoj shumë për ftesën dhe mundësinë që të bëhem pjesë e punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste dhe ju sjell të fala vëllazërore nga Kryetari im, Ali Ahmeti, me uratat më të sinqerta për Kongres të mbarë.

Gëzohem që na mblodhët në Tiranë gjithë neve, nga Shkupi, Prishtina, Presheva, Mali i Zi, rajoni dhe Evropa. Padyshim se politika e jashtme, marrëdhëniet me Evropën, siguria dhe raportet e ndërsjella të vendeve të Evropës juglindore, janë tema akute për të cilat me ndodhitë e fundit në Evropën Lindore duhet shumëfishuar aktivitetet dhe trajtuar këto çështje më syçelë se kurdoherë.

Bashkëpunimi më i intensifikuar në mes forcave tona politike përbrenda Ballkanit Perëndimor, synim të vetëm e ka eliminimin e disonancave rreth qëllimit të pakontestueshëm dhe të rrugës ose rrugëve që do të na çojnë drejt qëllimit të përbashkët, integrimi në BE dhe NATO. Zëri i bashkuar i shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë palca kurrizore e frymës euro-amerikane të rajonit tonë, me qasje konstituive dhe thelbësore në formimin e prioriteteve strategjike të vendeve tona për rajonin dhe për përfaqësimin e rajonit në politikat e integrimit të plotë.

Në çdo projekt të bashkëpunimit rajonal, njëri nga ne, është së paku vet i treti, e në raste edhe vet i katërti, dhe rrjedhimisht asnjë vendim për tërësinë e rajonit dhe gjashtëshen e Ballkanit perëndimor nuk merret dot pa pajtueshmërinë tonë andaj dhe nuk duhet ti druhemi iniciativave dialoguese dhe bashkëpunuese.

Është e qartë se secili nga vendet tona ka dhe veçoritë e veta, por në këtë kontekst do të kisha nënvizuar se koordinimi institucional dhe kombëtar ose këshillimet permanente si ky i sotmi janë më se të domosdoshme, para se të shtrohen qëndrimet tona para institucioneve të BE-së ose subjekteve tjera rajonale dhe ndërkombëtare. Megjithatë, për ne, integrimi evropiane është e vetmja alternativë. Alternativë tjetër nuk ka as Bashkimi Evropian, përveç se ta integrojë rajonin urgjentisht. Perspektiva e qartë për anëtarësimin në BE është e domosdoshme për stabilitetin e rajonit prandaj zgjerimi duhet të realizohet tash, menjëherë, pa asnjë vonesë dhe pa asnjë hamendje. Sa më shumë largohet Brukseli, aq më shumë afrohet Moska.  Sa më pak Evropë në Ballkan, aq më shumë fushëveprim për Rusinë.  Ukraina nuk është larg dhe pasojat po i ndjejmë të gjithë. Solidarizimi sot me Ukrainën nënkupton padyshim edhe integrim pa asnjë vonesë të vetme të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, bashkë, të pandarë.  Me që konfliktet e Ballkanit nuk ishin sinjale të mjaftueshme për nevojën e integrimit evropian të rajonit, atëherë Ukraina është zile alarmi për të gjitha vonesat dhe mungesën e konsolidimit të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.

Të nderuar,

Në vitin 2008 në Bukuresht, kontesti bilateral me Greqinë na ndau nga rrugëtimi jonë i përbashkët me Shqipërinë dhe Kroacinë drejt NATO-së.

Kjo derë e mbyllur dhe mungesë perspektive, na shpiu drejt togfjalëshit “shtet i kapur” dhe një krize të pa shembulltë.  Bëmë sakrifica si asnjë vend tjetër për tu bërë pjesë e NATO-s me 11 vite vonesë, por ia vleu.

Sot, në shekullin 21, një tjetër kontest absurd i shekullit 18, po na mban derën e Brukselit të përplasur në fytyrë. Po ndodhin Mariupoli, Bucha, Kievi, Lugansk, Donjetsk, lufta, kriza shëndetësore, ekonomike, ushtarake, çmime marramendëse dhe pasiguri gjithandej, e ne, në vitin 2022 ne duhet të zgjidhim se kush çfarë ka qene dhe në çfarë gjuhe ka folur deri në vitin 1945.  E shoh që Bashkimi Evropian ka humbur fjalëkalimin për zbërthimin e lëmshit dhe nuk po e gjen dot sepse dikush e ka ndryshuar dhe në 50 ditët e fundit e këtej, fjalëkalimi është Ukraina, me U të madhe.

Të dashur drejtues dhe të pranishëm, vëmendja juaj më nderoi.

Ju faleminderit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here