Dikur shëtisnin bashkë, sot a mbajnë kontakte? Sali për Arsovskën dhe Taravarin: Ende jemi miq

Date:

Kur ishte kandidat për kryetar të Çairit, Bekim Sali me kryetaren aktuale të Shkupit, Danella Arsovska ecnin bashkë rrugëve të Shkupit duke kërkuar votën e qytetarëve për njëri-tjetrin, shkruan TV21. Tani, janë në pozicione të kundërta. Sali si ministër i Shëndetësisë dhe pjesë e Qeverisë, kurse Arsovska si kryetare e Shkupit dhe kandidate që pati mbështetjen e opozitës.

Por a takohen ende Sali dhe Arsovska?

Sali në ClickPlus në TV21 tha se takimet janë në kuadër të funksioneve që i bartin dhe se me Arsovskën vazhdojnë të jenë miq.

“Ende jemi miq dhe unë asaj i dëshiroj suksese”, tha Sali.

Po çfarë raporte ka me ish ministrat e Shëndetësisë, si Venko Filipçe dhe Arben Taravarin, me këtë të fundit partia nga ku vjen Sali ishin në koalicion parazgjedhor, i cili u prish me hyrjen e Alternativës në Qeveri.

Tha se kishte në plan të ftonte të gjithë ish ministrat e shëndetësisë për të pirë bashkërisht kafe në Ditën botërore të Shëndetësisë, por për shkak të protestës së mjekëve amë, këtë nuk arriti ta realizojë.

Bëri të ditur se vetëm me ish ministrin Nikolla Todorov nuk ka pasur rast të njihet dhe takohet ndonjëherë.

“Ideja për t’i ftuar në kafe të gjithë ish ministrat e Shëndetësisë ishte më 7 prill, por për shkak të protestës, nuk i ftova që të mos krijohet përshtypja se dua të shpërqendroj vëmendjen. Me Bujar Osmanin kam miqësi, me Imer Selmanin konsultohem gjithashtu. Me ish ministrin Venko Filipçe ende mbaj kontakte për shkak të projekteve të lëna për gjysmë, kurse vetëm me Nikolla Todorov nuk njihem. Me Arben Taravarin e pranoj se jemi miq dhe kolegë”, tha Sali.