Sulmet ndaj Policisë së Kosovës, Sveçla: Jemi të gatshëm të përballemi me çfarëdo skenari të Serbisë

Date:

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në konferencën e jashtëzakonshme për media tha se institucionet e sigurisë janë të gatshëm të përballen me çfarëdo skenari të Serbisë, pas sulmit që ka ndodhur ndaj policisë së Kosovës në veri të vendit.

Sveçla u shpreh se nuk frikësohen nga çfarëdo lloj skenari nga Serbia raporton Gazeta Express.

“Në aspektin e kapaciteteve operacionale të të gjitha institucioneve të sigurisë ne nuk i frikësohemi çfarëdo lloj skenari të Serbisë jemi të gatshëm që të përballemi me çfarëdo lloj skenari të Serbisë sidomos kur e kemi parasysh përkrahjen që e marrim nga shtetet mike”, tha ai.

Sveçla tme pas tha se qëllimi i Serbisë në këtë moment është ta destabilizojë Kosovën dhe jo ta sulmojë.

“Unë mendoj se qëllimi i Serbisë në këtë moment nuk është ta sulmojë Kosovës por ta destablizojë Kosovën. Po ju them se situata në Kosovë në përgjithësi është stabile falë institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe sjelljes pro ligjit të shumicës absolute të qytetarëve të Kosovës. Grupe të caktuara të mbështetura nga kushdo nuk do të munden të rrezikojnë sigurinë e vendit tonë, këtë e kemi dëshmuar dhe do të vazhdojmë ta dëshmojmë për çdo ditë”, tha ai.

Drejtori i Policisë Samedin Mehmeti tha se sulmi ndaj policisë është realizuar me granatë dore dhe AK-47.

“Sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, e cila ka qenë duke shkuar për të marrë ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.