Sindikata e gjimnazistëve: Maturantëve që duan të studiojnë jashtë mund t’iu shkelen afatet për shkak të grevës

Date:

Sindikata e nxënësve të shkollave të mesme bën thirrje për zgjidhje të shpejtë të çështjes ndërmjet Qeverisë dhe SASHK-ut duke intensifikuar negociatat për periudhën e ardhshme dhe kërkon të përfshihet në gjetjen e zgjidhjeve për kompensimin e materialit të munguar, transmeton Portalb.mk.

Greva e Sindikatës së Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SAShK) nesër hyn në ditën e saj të nëntë, që do të thotë se nxënësit tashmë kanë humbur dy javë të plota pune nga procesi i rregullt arsimor, thonë nga Sindikata e nxënësve të shkollave të mesme dhe paralajmërojnë se kjo është posaçërisht problematike për maturantët pasi te shumë prej tyre ka shans të madh që të shkelen afatet shtetërore, gjë që do të ndikojë negativisht tek maturantët ambiciozë që duan të studiojnë jashtë vendit.

“Për shembull, afati për marrjen e detyrës projektuese skadon më 21 prill. Prandaj duhet zgjidhje urgjente e problemit”, thonë nga Unioni i nxënësve të shkollave të mesme.

Ata përkujtojnë se tashmë kanë humbur të gjithë vitin shkollor me mësimin online jo cilësor, si dhe dy javë të tjera me zgjatjen e pushimeve dimërore.

“Me këtë renditjen e tillë të gjërave, gjimnazistët tashmë tre vite janë jashtë procesit normal arsimor”, thonë nga Unioni i gjimnazistëve.

Më herët gjatë ditës së djeshme, kryetari i SAShK-ut Jakim Nedellkov tha se greva nuk do të përfundojë dhe në ditët në vijim mësuesit dhe të punësuarit në kopshte nuk do të punojnë. Ai tha se i kanë shqyrtuar konkluzionet nga seanca e djeshme e qeverisë dhe kanë vendosur që të vazhdojnë grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Qeveria po i ofron SASHK-ut rritje të pagave prej 10 për qind dhe një metodologji të re për rritjen e ardhshme të pagave.

Që nga fillimi i grevës, zyrtarët e qeverisë u kanë bërë thirrje vazhdimisht mësimdhënësve që të vazhdojnë mësimin dhe të kërkojnë zgjidhje për pagat nëpërmjet dialogut social.

SASHK-u e filloi grevën të hënën e kaluar me kërkesë për rritje të pagave dhe harmonizimin e tyre me pagën minimale, e cila nga marsi është 18 mijë denarë.