“Hiq e ven”-filosofia në vepër: Danella do ta kthejë Qosen me kamën e tij të tmerrshme?!

Date:

A ju kujtohen gjithë debatet për “përmendoromaninë” e projektit kontravers të Shkupit 2014? Pse është vënë kjo figure, pse ajo? Ky ka vrarë këtë e atë, ai ka bashkëpunuar me këta e ata…Shumë pyetje legjitime.
Me ardhjen në pushtet të LSDM-së, iu ndërpre hovi i ndërtimit të objekteve megalomane(dorën në zemër, disa kanë vazhduar edhe më vonë) dhe figurave historike. Njëri prej tyre edhe u hoq krejtësisht: Andon Janev, më i njohur me nofkën “Qose”. Qoseja, i vendosur karshi ndërtesave të Gjyqit, me atë kamën e tij, pjesë e profilit “patriotik”, sikur ua tërhiqte vërejtjen edhe sot atyre që ndajnë drejtësi, se e vetmja drejtësi është kama e tij!
Historianët e kishin problematizuar vendosjen e përmendores së tij. Ndonëse bashkëpunëtor i dy figurave emblematike të VMRO-së, Goce Dellçevit dhe Jane Sandanskit, atij i mvishen dhjetëra vrasje(dikush i përmendt rreth 100) të aktivistëve të lëvizjes kombëtare maqedonase. Disa autorë kanë shkruar se ai vetëm i ka zbatuar urdhërat…për likuidimin e “tradhtarëve”. Por ata që e kishin vendosur përmendoren e tij, që supozojmë me motive patriotike, kishin vendosur edhe disa nga viktimat e tij, po ashtu për motive patriotike. Kundërthënie se jo mahi!
U bë si u bë, në vitin 2018, LSDM-ja e hoqi “Qosen”, ama LSDM-ja nuk rri përjetë në pushtet dhe me ardhjen e kryetares së re të Shkupit, asaj iu kujtua. Kështu Danella Arsovska, në një intervistë për infomaks.mk, tha se një kohë të gjatë paska gjurmuar për ta gjetur përmendoren e këtij personaliteti kontrovers dhe më në fund e paska gjetur. Meqë qytetarët qenkan interesuar dhe e paskan pyetur se ku gjendet, ajo i qetëson ata se Qosje është shëndosh ë mirë!
“Të mos brengosen, përmendorja është gjetur. Është në gjendje të mirë”, ka thënë ajo, e cila dilemave se a do të vendoset prapë, është përgjigjur: “për vendosjen e tij do t’i pyesim qytetarët”.
Supozojmë se e ka pasur fjalën për t’i pyetur qytetarët në referendum, gjë që do të ishte një akt kundër arbitraritetit, edhe pse gjithçka është relative, sepse shpesh edhe vullneti i qytetarëve mund të manipulohet politikisht.
Ajo që është interesant në këtë veprim të paralajmëruar është tendenca e zbatimit të inateve politike me vendime arbitrare, varësisht kush ikë e kush vjen në pushtet. Raste eklatante jan ato kur një kryetar i qytetit vendos pllaka bekatoni, e vjen tjetri, i heq ato dhe shtron asfalt, vjen i treti dhe në të njëjtin vend sjell diçka tjetër. Për 20 vjetët e fundit, këtë “trend” më së miri e ka përjetuar sheshi i Shkupit. Madje edhe nëse ka vendosur mermer të shtrenjtë njëri, tjetri ka menduar se duhet të hiqet dhe të vendosen pllaka bekatoni. Shembulli më absurd është ai i vendimit për heqjen e anijeve të shtrenjta nga Vardari dhe ndërprerja e heqjes pas ardhjes së kryetares së re, duke lënë kështu njërën nga shëmtitë më të mëdha përskaj Qendrës Tregtare të Shkupit.
Edhe kur u duk se LSDM-ja ia bëri goditjen më të rëndë projektit të Shkupit 2014, duke zbuluar edhe disa afera milionëshe(disa u heshtën), ja, po bie Qose-ja për ta relativizuar edhe këtë dhe për të paralajmëruar ndonjë kthim prapa jo vetëm në “hiq e ven”-filosofinë, por dhe aspektet e turbullta historike-identitare.