Rritje historike e pagave në arsim përsëri nga ministri i BDI-së

Date:

Punonjësit në arsim janë baza për zhvillimin e shoqërisë dhe potencialit cilësor njerëzor. Prandaj, një nga prioritetet kryesore të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) ka qenë, dhe është rritja e vazhdueshme e pagave të mësimdhënësve, edukatorëve dhe mësueseve kujdestares. Ky angazhim ka qenë mision i vazhdueshëm i ministrave të BDI-së ndër vite.

Tanimë është arritur marrëveshje në mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Sindikatës për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SASHK) për rritjen e pagës për 12 për qind. Një rritje historike, përsëri nën drejtimin e kuadrit të BDI-së, Dr.Jeton Shaqiri.

BDI si pjesë e qeverisë ka mbështetur promovimin e pozitës së mësimdhënësve duke arritur një rritje të vazhdueshme të pagave në arsim, të cilat sipas përllogaritjeve statistikore nga viti 2017 deri më sot janë rritur me rreth 21%.

Në periudhën e kaluar nga viti 2017 deri në vitin 2022, me futjen e metodologjisë së re të llogaritjes, është arritur rritja më e madhe e pagave të punonjësve në kopshte. Në vitin 2017, një edukator/edukatore në kopsht ka marrë pagë prej 14.493 denarë. Në vitin 2022, paga mesatare e paguar për muajin shkurt të edukatorit/edukatores është 19.560 denarë plus për punë të kaluar. Diferenca është 5.067 denarë më tepër në llogarinë e këtyre punonjësve, plus kompensimi për punë të kaluar. Paga e edukatorit/edukatores në kopsht në vitin 2017 ka qenë 19.200 denarë, ndërsa në vitin 2022 25.642 denarë plus kompensimi për punë të kaluar. Rritja këtu është 6.442 denarë, plus puna e kaluar.

Rritja e pagave për punonjësit në arsim dhe kopshte është në kohën e qeverisjes së BDI-së dhe marrëveshjes kolektive të nënshkruar në vitin 2019 në qershor. Debati për marrëveshjen e re kolektive është shansi për zgjidhjen e përhershme të rritjes së vazhdueshme të pagave.