Xhaferi takon kryetaren e Senatit italian, Kazellati

67

Në kuadër të vizitës së punës në Itali, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi realizoi takim me Sh. S. Maria Elizabeta Alberti Kazellati, kryetare e Senatit të Republikës së Italisë.

“Kryetarja Kazellati i uroi mirëseardhje të ngrohtë kryetarit Xhaferi dhe delegacionit në emër të senatorëve dhe e përshëndeti bashkëpunimin dinamik ndërmjet dy shteteve i cili zhvillohet në vazhdimësi me vizita të delegacioneve të larta shtetërore nga të dyja vendet. Italia është vend mik i dëshmuar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila jepte mbështetje pa rezervë për anëtarësimin e vendit në NATO. Me anëtarësimin në NATO, vendi ynë kontribuon në stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, ndërsa me konfliktin e ri luftarak në zemrën e Evropës, ky qëllim i realizuar fiton një rëndësi strategjike të fuqishme. Njëherazi, në kontekst të integrimeve evropiane, ajo shprehu bindjen e qartë se takimi i ardhshëm i Këshillit Evropian do të thotë një hap përpara në raport me pranimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, për çka Italia jep mbështetje në vazhdimësi”, thuhet në kumtesën e Pres shërbimit të Kuvendit.

Nga ana tjetër, Xhaferi foli për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet dy shteteve, të cilat me nënshkrimin e Protokollit për bashkëpunim parlamentar ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Dhomës së Deputetëve të Republikës Italiane, hapin një agjendë të re dinamike në drejtim të krijimit të mundësive për bashkëpunim intensiv në planin parlamentar. Ai e nënvizoi rolin e Italisë si partner i rëndësishëm politik dhe ekonomik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, a veçanërisht e rëndësishme për ne është mbështetja e fuqishme italiane, si në periudhën e pavarësimit, ashtu edhe në të gjitha fazat kryesore të integrimeve tona euroatlantike.

Kryeparlamentari u pajtua me kryetaren Kazellati se lufta që tani zhvillohet në zemrën e Evropës, të cilën pas rënies së murit të Berlinit askush nuk e priste, do të lë pasoja të fuqishme ndaj arkitekturës së sigurisë botërore. Të gjitha këto sfida akoma më shumë e imponojnë nevojën për integrimin e plotë evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor dhe është çështje ndaj të cilës BE-ja duhet të qaset shumë seriozisht, dhe të vlerësojë se çdo prolongim i procesit të zgjerimit do të thotë keqësim të mëtejmë të situatës, që do të reflektohet si në planin ekonomik dhe energjetik, ashtu edhe në planin politik.

“Të dy bashkëbiseduesit i theksuan të gjitha përparësitë e diplomacisë parlamentare – në planin bilateral dhe multilateral, që do të kontribuojnë për qasjen e përbashkët të shteteve ndaj të gjitha sfidave të imponuara nga pandemia dhe lufta në Ukrainë, sepse pasojat reflektohen te të gjitha vendet njëlloj dhe këtu jo vetëm që nevojitet uniteti i vendeve të kontinentit evropian, por edhe i forcave të mëdha botërore”, thuhet në kumtesë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here