Xhaferi: Ademi u provokua, ngjarje të tilla nuk duhet të ndodhin më!

Date:

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi sot në brifing me gazetarët duke e komentuar ngjarjen e fundit prej para dy ditëve në Komisionin për çështje evropiane tha se nuk e arsyeton sjelljen e kryetarit të këtij Komisioni, Arbër Ademi, megjithatë, sipas tij, ngjarja fatkeqe është provokuar.

“Nuk kam kompetencë për të kërkuar përgjegjësi, ata janë deputetë, e jo zyrtarë. Mësimi është se kjo nuk guxon të ndodh në Kuvend, ndërsa nuk do të ndodh nëse ai që është deputet, ulet në vend”, tha Xhaferi, duke shtuar se incidentin nuk e ka shkaktuar Ademi, por, siç tha, “ata të cilët kanë shkuar në foltore dhe të cilët e kanë hoqën mikrofonin”.

Xhaferi theksoi se edhe pse Ademi ka dhënë sqarim, vlerëson se kjo nuk është mirë të ndodh.

“Askush nuk duhet të reagojë ashtu, as pushteti, as opozita. Ai është individ, nuk arsyetoj, por jap mesazh që të mos përsëritet, të mos ndodh dhe nuk do të ndodh nëse dikush nuk provokon. Kjo është dhomë ligjvënëse, ata janë deputetë dhe kanë përgjegjësi individuale, këto janë rregullat”, tha Xhaferi.

Sipas Xhaferit, ngjarja duhet të shihet në tërësi, e jo vetëm në “prerje”. Ai informoi se ka pasur takim edhe me eurodeputetët dhe i ka njoftuar për incidentin, u ka dhënë incizim integral nga regjia e Kuvendit për ta vlerësuar situatën.