Kërkohet “Vetting” në arsim, qeveria pa përgjigje

Date:

Po insistohet për “Vetting”,  por kësaj radhe jo në drejtësi.

35 organizata të shoqërisë civile janë mbledhur e po kërkojnë “Vetting” në arsim nga Qeveria e Kosovës.

Krejt kjo ka ardhur pas zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së, proces të cilin e konsiderojnë politik.

Gjithashtu, ata janë të indinjuar për mospërjashtimin e profesorëve të cilët nga Këshilli i Etikës së UP-së janë shpallur plagjiatorë.

Organizata iniciuesi e kësaj kërkese, ORCA, e sheh si të domosdoshme vettingun edhe në arsim.

Dibran Hoxha, ORCA

“Nëse ka vullnet politik për me shty vettingun në arsimin e lartë përpara, të gjithë stafet akademike në të gjitha Universitetet publike do futeshin në një lloj filtri për me i pa përgatitjet e tyre akademike dhe profesionale e për me pa integritetin e tyre akademik. E kur do që të ketë procese kaq të rëndësishme siç ishte Këshilli Drejtues atëherë me Vettign në arsim do kishte gjasa më të ultë të ishin pjesë persona si Selim Bezeraj apo Rifat Krasniqi”, ka thënë Dibran Hoxha nga organizata ORCA.

Ndërsa, zyrtarë të tjetrës organizatë mbështetëse të kësaj iniciative, ETEA, tregojnë arsyet e nënshkrimit të kësaj kërkese drejtuar Qeverisë.

Agron Ahmeti, ETEA

“Kjo ka të bëjë me interesin tonë meqenëse ky staf akademik përgatitë mësimdhënësit që janë përgjegjësit për ngritjen e kapaciteteve, aftësimin e gjeneratave të reja në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar”, ka deklaruar Agon Ahmeti nga organizata ETEA.

Televizioni ka kërkuar përgjigje nga Qeveria e Kosovës nëse do të merret parasysh kjo kërkesë por ata si shumicën e herëve, nuk kanë kthyer përgjigje.