Hapet rruga Kardhiq-Delvinë, shkurtohet rruga drejt Sarandës

Date:

Rruga e re Kardhiq-Delvinë është hapur zyrtarisht mëngjesin e 2 korrikut, ashtu siç ishte premtuar nga qeveria. Kjo rrugë do të shkurtojë kohëzgjatjen e udhëtimit drejt Sarandës.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, publikoi sot pamje të këtij aksi rrugor, teksa bëri të ditur se nga sot do të jetë e hapur për gjithë qytetarët duke e sjellë bregun afër.

“Udhëtimi nga Gjirokastra në Delvinë, e përtej në Sarandë me rrugën e re që nga sot do të jetë e hapur për gjithë qytetarët duke e sjellë bregun  afër”, ka shkruar Kumbaro në rrjetet sociale.

Pjesë e kësaj rruge është edhe tuneli i Skërficës.

Aksi rrugor Kardhiq-Delvinë është i rëndësishme për turizmin e Rivierës Shqiptare. Kjo rrugë lehtëson trafikun e makinave drejt Sarandës, dhe ndihmon banorët e zonave të thella malore të Tepelenës dhe Leskovikut të nxjerrin produktet e tyre në hotelet dhe motelet turistike të bregdetit Jon.

Projekti fillestar i rrugës u miratua në vitin 2007, dhe e ndau këtë rrugë të gjatë 33 kilometra, në 8 lot.

Ilustrim

Loti 7 i rrugës Kardhiq-Delvinë ose ndryshe Tuneli i Skërficës, për shkak të kompleksitetit dhe risqeve të shtuara në projektim, u vendos në vitin 2019 të realizohej sipas parimit projekto-ndërto, pasi konsiderohej si loti më sfidues i këtij projekti. Ky lot kushtoi 17.8 milionë euro.