Konfiskohen pajisje me vlerë mbi 200 mijë euro në një laborator të drogës në Leposaviq

Date:

Policia e Kosovës, të premten ka shkatërruar pajisje të përpunimit të substancave narkotike me vlerë rreth 250 mijë euro.

Laboratori i shkatërruar nga Policia e Kosovës, gjendej në Leshak të Leposaviqit, ku kishte pajisje të montuara dhe të gatshme për përdorim të përpunimit të substancave narkotike.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se nga ky laborator sipas tij kuptohet se pse qarqe të caktuara nuk dëshirojnë shtrirjen e sundimit të ligjit dhe rendit në Kosovë.

“Çdo ditë e më shumë po e kuptojmë pse qarqe të caktuara nuk dëshirojnë shtrirjen e sundimit të ligjit dhe rendit në tërë Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Sveçla.

Sveçla, duke i përgëzuar njësitë e Policisë së Kosovës, ka shtuar se nuk do të ndalen së zbatuari misionin e tyre për ata që nuk zbatojnë ligjin.

Në njoftim e Policisë së Kosovës, thuhet se pas disa hetimeve paraprake ka parashtruar kërkesë për urdhër-kontroll në organet e drejtësisë për kontrollin e një objekti pronë e të dyshuarit G.J., në Leshak të Leposaviqit, pasi në objekt dyshohej se kultivohej bima e kanabisit.

 

Sipas Policisë, laboratori ishte i pajisur mirë dhe ishte në gjendje të gatshme për të filluar mbjellja e bimëve të kanabisit, pra aty mungonin vetëm bimët, pasi gjithçka tjetër ishte e gatshme.

“Në konsultim me prokuroren ka filluar sekuestrimi i pajisjeve që janë gjetur në atë ndërtesë. I dyshuari gjendet në arrati, kurse policia do të vazhdojë me hetimin dhe kompletimin e rastit”, thuhet në njoftim.