“Rikthimi i PDK-së në qeverisje” – misioni i Krasniqit si kryetar

54

“Misioni im si kryetar është ringritja, fuqizimi dhe rikthimi i PDK-së në qeverisje, si parti e fitoreve, për zhvillimin e vendit tonë”.

Kështu ka thënë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, teksa ka listuar angazhimet e tij dhe partisë të cilën e udhëheq tash e një vit.

Krasniqi, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, derisa ka treguar për misionin e tij si kryetari i partisë më të madhe opozitare, ka thënë se po tenton ta ringrisë dhe fuqizojë PDK-në në mënyrë që të zhvillohet vendi.

“Gjatë këtij viti në krye të PDK-së, kemi punuar shumë bashkë me secilin anëtar e aktivist, përbrenda çdo niveli të organizimit, që gjithandej Kosovës ta shtrijmë përsëri vizionin tonë – për Kosovën e qytetarëve, të zhvilluar, të integruar e me perspektivë për të gjithë”, ka shkruar Krasniqi.

“E nisëm me fitoren në zgjedhjet lokale, duke fituar në 8 komuna e duke dalë partia e parë në 10 komuna. Rikthyem besimin qytetar në Prizren, Mitrovicë, Skënderaj, Vushtrri e Han të Elezit dhe e rinkonfirmuam atë në Ferizaj, Drenas e Kaçanik”, ka shtuar ai.

Sipas tij, në kuvendin e Kosovës, PDK është zëri i arsyes përmes angazhimit parlamentar aktiv, duke ngritur e mbrojtur çështje e kauza konkrete, në dobi të qytetarëve dhe të kategorive shoqërore të injoruara nga pushteti aktual.

“Si një platformë e ofrimit të alternativës qeverisëse, inicuam Kabinetin për Qeverisje të Mirë. Ekspertë të fushave të ndryshme po i bashkohen kësaj platforme tonë për një Kosovë më të mirë, me qeverisje kompetente e efikase”, ka shkruar i pari i PDK-së.

Kreu i kësaj partie, ka theksuar se puna dhe angazhimi i tyre do të vazhdojë në çdo nivel të organizimit strukturor, në kuvend, në komuna e në kabinetin për qeverisje të mirë.

Ndryshe, Krasniqi, më tre korrik të vitit 2021, ishte zgjedhur kryetar i PDK-së.

Ilustrim

Ai ishte i vetmi nga PDK-ja, i cilli kishte shpallur kandidaturën për të marrë drejtimin e partisë, në Konventën e jashtëzakonshme zgjedhore të PDK-së.

Pjesëmarrës në procesin e votimit ishin 476 delegatë.

Shtatë prej tyre ishin kundër dhe një votë ishte abstenim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here