Beteja midis Europës dhe Rusisë në Maqedoninë e Veriut

Date:

Protestat që po organizohen, intensiteti i të cilave është më i ashpër dhe më i dhunshëm çdo ditë të re, duket se nuk është një reaksion normal, apo një pakënaqësi normale ndaj një propozimi të pakuptuar mirë e drejt, që mëton ta tejkalojë kontestin me Bullgarinë. Është diç më shumë dhe për këtë ka dyshime të bazuara që e vërtetojnë pamjet që po i shohin para qeverisë, para Kuvendit ose MPJ-së.

Gjithnjë e më shumë nga pakënaqësia për “propozimin francez”, po shndërrohet në një betejë për supremacion të forcave që deri dje si me gjysmë goje, e sot gjithnjë e më zëshëm, kërkojnë një orientim tjetërfare për Maqedoninë e VEriut. Sepse, nuk mund të kuptohet si është mundur që, edhe pse është thënë se propozimi francez është në debat dhe për të mund të thonë mendimin edhe ata që e përkrahin, edhe ata që e kontestojnë, të kalohet në “demokraci” rruge ku ka gjithçka, por argumente jo. Dy parti parlamentare, një e madhe dhe një e vogël, e dinë ku zhvillohen debatet, por ato zgjodhën diçka që u ngjan situatave të kaluara të cilat menduam se i lamë prapa dhe prej të cilave kemi nxjerrë mësim.

Nëse analizohen deklaratat dhe veprimet e VMRO-DPMNE-së, që është deklaruar shpesh për integrimet eurotlantike, në çka deri tash nuk kemi dyshuar, dhe të Levicës, që është cilësuar përveç si e ekstremit të majtë edhe si antiperëndimore, që vetë e ka deklaruar, është për t’u çuditur ky idil i tyre, në një betejë e përbashkët. Të mos besohet që një VMRO i shkon prapa një Levice, ku në shoqëri janë edhe forca si ajo e Maqedonsië së Bashkuar pro-putiniste, dhe me të drejtë shtrohet pyetja ku dëshirojnë ta çojë vendin ato.

Gjithë bota e di se një kompromis me Greqinë ia hapi dyert Maqedonisë dhe e futi në organizmin ushtarak e politik të NATO-s për të siguruar ombrellën e sigurisë. Edhe pse VMRO-ja nuk dëshiron ta pranojë, sepse ishte kundër, por Marrëveshja e Prespës e ruajti edhe tërësinë territoriale edhe identitetin edhe gjuhën, por kjo parti vazhdoi Maqedoninë e Veriut ta quajë për hiret e inatet e veta me emrin e dikurshëm. Politikanizëm i skajshëm. Por, tash, kur po zhvillohet beteja e fundit për BE, VMRO-ja rreshtohet me forca të errëta, ato që sot e kanë pllakosur në zi një vend si Ukraina. Ato forca, që janë si “pionët” në shah që i luan dikush nga jashtë, Betejën për Evropë duan ta shndërrojnë në Betejë për Rusinë, duke harruar të gjitha kontekstet historike të kaluara, kur Rusia ka qenë në anën e vendeve ballkanike që i kanë gllabëruar trojet e Maqedonisë(dhe në këtë kontest, edhe të shqiptarëve). Prandaj të çudit ky sentiment prorus, kur dihet se Maqedonia të drejtën e vetëvendosjes, e ka siguruar nga një qëndrim i presidentit Uidrou Uilson.

Duke përdorur sentimentin ortodoks e pansllavist, këto forca, që për fat të keq u është bashkangjitur edhe VMRO-ja, që do të duhej të ishte serioze dhe e përgjegjshme në këto situata të rënduara gjeopolitike dhe t’i vë në plan të parë interesat shtetërore e kombëtare para atyre të politikës ditore. Lideri i kësaj partie, Mickovski, duhet të mendojë esëll dhe të mos bëhet peng i forcave të këtilla që deri tash ishin margjinale, të mos u jep atyre ushqim shpirtëror e infuzion politik për t’u forcuar dhe për t’ia marrë primatin dhe për të rrezikuar orientimin e Maqedonisë.

Maqedonia e Veriut kaherë e ka deklaruar orientimin e vet, kaherë është drejtuar nga BE-ja dhe NATO, që vazhdojnë ta çojnë forcat e shëndosha dhe me vizion, ndaj dhe kjo përpjekje që me veprime radikale, nuk do të ketë sukses. Maqedonia do ta fitojë edhe këtë betejë të fundit për BE.