Thaçi: Nuk ka shaka me faktorin ndërkombëtar, “propozimi francez” është propozim i BE-së!

Date:

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, në një intervistë televizive ka folur për propozimin francez.

Thaçi tha se që nga koha e presidentit Kiro Gligorov e deri më sot, ky është propozimi më i keq, por edhe se propozimi i radhës do të jetë edhe akoma më i keq.

“Kam një karrierë politike 30 vjeçare. Do të them se ky është propozimi më i keq deri më tani, nga koha e Kiro Gligorov e deri më sot. Propozimi i radhës do të jetë edhe akoma më i keq”, tha ai.

I pyetur se përse e thotë këtë, Thaçi thotë se nuk ka shaka me faktorin ndërkombëtar.

“Ata ju ofrojnë një kompromis. Ne kemi nevojë për një kompromis për një të ardhme më të mirë. Ky nuk është një propozim francez, ky është një propozim i BE-së. Me këtë marrëveshje definitivisht i dhamë fund ndikimit të Rusisë në Maqedoni. Askush nuk thotë se gjuha maqedonase dhe identiteti i maqedonasve janë të diskutueshme. Shqiptarët kanë mirëkuptim dhe janë në anën e bashkëkombësve të tyre maqedonas”, tha Thaçi.