Debate në Kuvendin e Shqipërisë, kërkohet rezolutë për krimet serbe në Kosovë

Date:

Ka nisur me debate mes mazhorancës dhe opozitës seanca e Kuvendit të Shqipërisë ku pritet të votohet rezoluta e mazhorancës për gjenocidin serb në Srebrenicë.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), Enkelejd Alibeaj kërkoi futjen në rend dite edhe të mocionit me debat për projektrezolutën që PD ka kërkuar për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, që u hodh poshtë nga Kuvendi.

“Që në datën 27 maj kemi paraqitur një projektrezolutë lidhur me dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Nën frymën e ruajtjes së vlerave kryesore të individit të ndëshkimit me vullnet politik i të gjithë agresorëve besoj se është një detyrim që mos e shtyni dhe zvarrisni atë rezolutë që kemi kërkuar”, u shpreh Alibeaj.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), Enkelejd Alibeaj

Po ashtu, ai ka deklaruar se partia e tyre do të shqyrtojë dhe një projektrezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, duke thënë se e kanë detyrim për vëllezërit e Kosovës.

“Sot ne do të shqyrtojmë dhe një projektrezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, e kemi detyrim për rajonin, ashtu siç kemi detyrim për rastin e Srebrenicës e kemi detyrim edhe për vëllezërit tanë të Kosovës. Është e njëjta situatë dhe i njëjti agresor dhe s’e kuptoj zvarritjen tuaj për të denoncuar gjenocidin serb në Kosovë”, ka deklaruar Alibeaj, raporton Euro News Albania.

Ndërsa, deputetja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Jorida Tabaku e cilëson si të mangët rezolutën e paraqitur nga Partia Socialiste për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë.

Pavarësisht kësaj, Tabaku deklaroi votën pro kësaj nisme, por kërkoi nga mazhoranca që të marrin parasysh amendamentet e propozuara nga PD.

Deputetja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Jorida Tabaku

“PS duhet që të dënonte gjenocidin, të njihte viktimat duhet të njihte edhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Ne nuk arritëm një dakordësi që PS të ngrihej mbi palët dhe të miratonte një rezolutë që është miratuar në Mal të Zi dhe Kosovë. Rezoluta e sotme është mangët, por pavarësisht kësaj ne do ta miratojmë këtë”, ka thënë Tabaku.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste (PS), Taulant Balla, tha se ky gjenocid duhet të shërbejë si kambanë alarmi ndaj rreziqeve të forcave ekstreme të nacionalizmit. Sipas tij, miratimi i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë i bën nder Kuvendit.

Për Ballën, miratimi i kësaj rezolute i bën nder çdo shqiptari, ndërsa përmendi shtrirjen e tij në Kosovë dhe ringjalljen e gjenocidit në Ukrainë.

Berisha-mazhorancës: Pse s’guxoni të flisni për gjenocidin serb në Kosovë

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Parlament ka thënë se teksti i rezolutës për gjenocidin serb në Srebrenicë është hartuar nga njerëz me qëndrim të dyfishtë.

Qeveria, sipas tij, nuk ka guxim të flasë për gjenocidin serb në Kosovë, pasi po përpiqet të fshehë Aleksandër Vuçiçin.

Berisha vuri në dukje se rezoluta që pritet të votohet sot, nuk përmend as ish-presidentin serb Slobodan Millosheviçin dhe as presidentin aktual të Serbisë Aleksander Vuçiç.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha

“Nga njëra anë dënoni gjenocidin, por nga ana tjetër fshihni me qëllim ideologun, arkitektin e gjenocidit Slobodan Millosheviç dhe sivllaun e Edi Ramës, Aleksandër Vuçiq”, ka deklaruar Berisha.

Po ashtu, ai është shprehur se presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ka vetëm një vend dhe ai vend është Haga.

Sipas Berishës, Kuvendi i sotëm nuk mund të miratojë as gjenocidin në Kosovë, sepse e konsideron si “vrasje dhe jo gjenocid”.

“Nuk keni qenë në gjendje as të merrni rezolutën e parlamentit evropian. Kreu juaj është shndërruar në një vasal të Vuçiqit. Apo po ndiqni edhe ju Ballkanin e Hapur”, ka thënë ai.