Dhjetëra raste të dhunës në familje, Qeveria nga janari me strategji

Date:

Dhjetëra raste të dhunës në familje janë regjistruar në Kosovë vetëm në javën e fundit.

Ndryshe nga e kaluara, shumica nga personat që dyshohen për këtë vepër penale kanë përfunduar në paraburgim.

Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave thotë se presioni nga shoqëria civile, ka bërë që institucionet të përmirësohen në këtë drejtim.

“Padyshim që institucionet tona duhet me punu shumë më shumë në këtë drejtim dhe padyshim që institucionet tona duhet ta masin nivelin e rrezikut në mënyrë që të mos kemi viktima të tjera. Padyshim Policia duhet të jenë akterët e parë të cilët thirren nga viktimat që t’u dalin në ndihmë dhe padyshim që ata duhet me e kry punën e tyre me përgjegjësi dhe jo me mendësinë patriarkale që shpeshherë edhe kanë ditë ta bëjnë”, ka deklaruar Breznica.

Nga janari, në Kosovë është miratuar një strategji kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje.

Besarta Breznica, nga Rrjeti i Grave

“Ajo çka po punojmë është që të largojmë një përqasje të përgjithshme të neglizhencës në trajtim të rasteve të dhunës në familje dhe po synojmë që të gjithë akterët, të gjithë individët që janë në kontakt të drejtpërdrejt me rastet të Dhunës në Familje të japin përgjigje më të drejtë dhe më korrekte”, ka thënë ajo.

Por, sipas shoqërisë civile, në të kaluarën strategjitë e tilla nuk kanë pasur shumë sukses.

“Kur flasim për strategjinë e kaluar, kjo strategji sipas hulumtimit tonë të publikuar në vitin 2021, tregon se vetëm 52 përqind e kësaj strategjie është implementuar nga institucionet tona. Tash po presim me strategjinë e re për vitin 2022-2026 që kanë me u adresu edhe problematikat e tjera dhe numri i përqindjes së zbatimit do të rritet në këtë drejtim”, ka thënë Breznica.

Nita Shala, zëvendësministrja e Drejtësisë

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, ka deklaruar se prokurorja, Sevdije Morina është anëtare e grupit koordinues ndërinstitucional për mbrojtje nga dhuna në familje.

“Prokurorja Sevdije Morina është anëtare e grupit koordinues ndërinstitucional për mbrojtje nga dhuna në familje. E njëjta merr pjesë rregullisht në takimet e grupit koordinues dhe ka një përgjigje shumë aktive dhe vullnet të shprehur të paktën në takimet e grupit koordinues për sa i takon një përqasje më të drejtë nga ana e Prokurorisë në përgjigje të Dhunës në Familje”, ka deklaruar Shala.

Pas miratimit të Strategjisë në Qeveri, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte deklaruar se shpreson që ajo të mos mbetet në sirtar siç ka ndodhur në të kaluarën.