Numri i viktimave në procesin kundër Thaçit dhe të tjerëve mund të rritet

Date:

Mbi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin rëndojnë akuza për krime lufte ndaj popullatës civile, e deri tani ka numër të madh të personave që janë paraqitur që pretendojnë se kanë qenë viktima.

Pavarësisht kësaj, ka edhe të tjerë që zgjedhin të mos jenë në proces gjyqësor por që të gjithë janë konfidencial.

Sipas zëdhënëses së Dhomave të Specializuara për Kosovën, Angela Griep, jo të gjithë që aplikojnë si viktima mund të pranohen.

“Personat që mund të dëshmojnë se kanë pësuar personalisht dëmtime, duke përfshirë dëmtime fizike, mendore ose materiale, si rezultat i drejtpërdrejtë i krimeve të supozuara të përfshira në një aktakuzë të konfirmuar, mund të aplikojnë për të marrë pjesë në procedurë. Më pas gjyqtarët vendosin nëse personi që ka aplikuar mund të bëhet viktimë pjesëmarrëse”, ka deklaruar Griep.

Gjykata Speciale në Hagë.

Sipas kësaj, përgjigjeje bëhet e ditur se në procedurën ndaj Thaçit dhe të tjerëve marrin pjesë 32 viktima, në rastin e Salih Mustafës 8 dhe në atë të Pjetër Shalës 1 viktimë.

“Në rastin e Prokurorit Special kundër Salih Mustafës, në procedurë marrin pjesë 8 viktima. Në rastin e Prokurorit Special kundër Hashim Thaçit dhe të bashkëakuzuarve, deri më tani janë pranuar për pjesëmarrje 32 viktima dhe ende mund të dorëzohen aplikime nga viktimat. Në rastin e Prokurorit Special kundër Pjeter Shalës, deri më tani është pranuar të marrë pjesë një viktimë dhe ende mund të dorëzohen aplikacione nga viktimat”, ka thënë ajo.

Megjithëse janë pjesë e procesit, në seanca gjyqësore, viktimat i përfaqëson dikush tjetër.

“Viktimat pjesëmarrëse në procedurat në KSK formojnë një ose më shumë grupe. Secili prej këtyre grupeve merr pjesë nëpërmjet një avokati, të quajtur Këshilli i Viktimave. Mbrojtësi i viktimave mund të jetë i pranishëm në seancat gjyqësore dhe do t’i mbajë të informuar viktimat gjatë gjithë procesit. Viktimat që marrin pjesë në procedurat para KSK-së kanë të drejta të caktuara, duke përfshirë të drejtën për njoftim, njohje dhe dëmshpërblim”, ka thënë Griep.

E për dëmshpërblimin ndaj viktimave potenciale ishte ngritur edhe më herët shqetësime nga Gjykata Speciale, që kishte pyetur Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë, nëse do të ketë një fond të veçantë për kompensim të viktimave.

Siç ka raportuar RTV Dukagjini, ministria ishte përgjigjur duke u zotuar se nëse është e nevojshme dëmshpërblim do të të jepej nga Fondi i Kosovës për Komepnsim të viktimave.