Vdesin tre persona si pasojë e infektimit me Covid-19

Date:

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, tre persona kanë vdekur si pasojë e infektimit me koronavirus.

Kurse, nga 1285 testime të kryera, gjatë 24 orëve të fundit, 397 persona kanë rezultuar pozitivë me virusin Covid-19.

Ndërkaq, janë shëruar 167 persona, kurse numri i rasteve  aktive ka shkuar në 2087.

Javëve të fundit, është shtuar numri i infektimeve me Covid-19, kjo ka bërë që Ministria e Shëndetësisë, të dalë me komunikata të shpeshta ku bëhet thirrje për kujdes, dhe bartje të maskave në ambiente me numër të madh të njerëzve të grumbulluar.

Statistikat e Covid-19, për ditën e shtunë

Msh-ja, ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen, dhe t’i marrin dozat e treta të vaksinës. Po ashtu, kjo ministri ka bërë të ditur, se tashmë personat mbi moshën 60 vjeç, mund ta marrin edhe dozën e katërt të vaksinës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK), ka dalë me një njoftim të shtunën, ku u ka bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen me vaksinën Anti-Covid-19.

Po ashtu, ky institucion i ka rekomanduar atyre që kanë simptoma të gripit të testohen, në mënyrë që të gjurmohen rastet më lehtë.

“IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështërsi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndërkaq, infektologu Hamdi Ramadani, i cili ishte i ftuar në emisionin “Five”, të premten, ka thënë se Kosova rrezikon të përballet me një valë të re të infektimeve.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i marrin dozat e treta të vaksinave, sepse sipas tij kjo është mbrojtja më e mirë kundër virusit Covid-19.

Sipas njoftimin të Msh-së, 128 qytetarë janë vaksinuar në 24 orët e fundit.