Pretendimet e Vuçiqit, NATO rikonfirmon garantimin e paqes në Kosovë

Date:

Zëvendëssekretari i NATO-s, gjeneral Mircea Geoana, vizitoi të enjten Prishtinën ku u takua me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Situatën në veri të Kosovës ai e ka konisderuar të qetë.

Mirëpo, në një intervistë që ka dhënë Geoana për portalin KoSSev, ka thënë se FSK mund të shkojë në atë pjesë të Kosovës, vetëm në konsultim me KFOR-in.

Sipas analistëve serb nga Mitrovica e Veriut, arsyeja e kësaj deklaratë është Aleksandër Vuçiq.

Kjo pasi presidenti serb ka thënë se Qeveria e Kosovës po organizon një sulm për t’i larguar serbët nga veriu.

Ognjen Gogiç, thotë se NATO më këtë deklaratë i ka larguar këto dyshime.

“Në veri, NATO është shumë më e kujdsshme, sepse duhet të evitojë ndonjë incident të mundshëm që mund të ndodhë në këtë pjesë nga serbët dhe kjo është arsyeja pse duhet të jenë më të kujdeshëm”.

”Kohëve të fundit, Presidenti Serb Aleksandër Vuçiq dhe  politikanët e tjerë në Serbi, kanë deklaruar se se Qeveria Kurti do të organizojë sulme ndaj serbëve për t’i larguar nga veriu, dhe ky deklarim i NATO-s, i cili është shumë diplomatik, mendoj se është bërë me qëllim që t’i largojë këto dyshime që serbët në veri i kanë ndëgjuar nga Vuçiq”, ka thënë Gogiç.

Ognjen Gogiç, analist

Ndërsa, Stefan Veljkoviçit i duket kundërthënesë deklarata e Geoanas.

Ai kërkon të sqarohet se si është situata e sigurisë në veri.

“Disa pjesë të deklaratave duken kontradiktore, në një pikë thuhet se situata e sigurisë nuk është në rrezik në këtë pjesë, dhe në një tjetër thotë se KFOR-i do ta ruajë paqen. Këtu osht kontradiktorja, pse duhet KFOR të ofroj paqe nëse situata e sigurisë në këtë pjesë të Kosovës është e qetë. Duhet të sqarohet një herë e mirë, a është situata e sigurisë fragjile në këtë pjesë apo jo?”, është shprehur ai.

Stefan Veljkoviç, analist

Mes Kosovës dhe NATO-s, në vitin 2013 u nënshkrua një marrëveshje, në bazë të së cilës FSK, nuk duhet të vendoset në veriun e banuar me shumicë serbe pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.