Cilin identitet mbrojnë “luani” dhe “dielli i Verginës”?

Date:

-Në protestat ku valëvizin flamujt me diellin e Verginës dhe ai me luan, në dekadat e kaluara kanë qenë simbole që kanë shkaktuar debate për shkak të krijimit të dy identiteteve maqedonase të ndryshme: njëri me rrënjë antike, e tjetri me afërsi me popullin bullgar…Pyetja në kontest të propozimit francez është mëse domethënëse, çfarë identiteti mbron opozita?

(Fragment nga kolumna e Daut Dautit në gazetën “Koha”)

Ernest Koliqi e ka një titull tregimi antologjik: “tregtarë flamujsh”! Ndonëse i shkruar para shumë dekadash, në kohë e rrethana të ndryshme historike, aktualiteti i mesazhit artistik nuk ka ndryshuar dhe ai nuk vlen vetëm për mjediset shqiptare. Tash dhe dikur, ende ka të tillë që valëvitin sipas nevojës me simbole e simbolika, shpesh duke i vënë në shërbim të interesave momentale e duke shkelur mbi parime e duke rrezikuar interesa madhore.

1.Dielli antik ç’lidhje ka me identitetin e maqedonasve që flasin gjuhë sllave?

Përveç flamurit të shtetit, mungesa e të cilit edhe për këtë strukturë opozitare do të ishte hap tejet radikal, e keni diellin e Verginës, për nostalgjikët e antikës, të cilët mëtojnë të mbrojnë identitetin që s’ka lidhje me gjuhën dhe identitetin bashkëkohor maqedonas. Gjuha e maqedonasve antikë me gjuhën e maqedonasve sot, s’ka dy lidhje, edhe pse ky ish-kryetari i gafave, i rishfaqur në protesta, Gjorge Ivanov, një kohë ishte munduar përmes një anekdote të shpjegojë se Pakistani e paska marrë emrin nga urdhrat që Leka i Madh ua paska dhënë ushtarëve të tij: Pak ti stani! Pak ti stani…dhe, ja Pakistan! Mu për këtë arsye adhuruesit e Aces së Madh na e sollën mbretin e hunzëve këtu për t’i parë “kushërinjtë” e vet. Madje i dhanë në Bogdanci edhe disa hektarë tokë për të ndërtuar rezidencë! (Vërtet, ç’u bë me këtë?!) Mbretit mysliman i bëri nder edhe Kisha. Kur e kishin pyetur kryetarin e barcoletës së Pakistanit se mos vallë edhe Kurdistani e ka marrë emrin me të njëjtën analogji, kishte heshtur dhe e kishte lëshuar “mexhlisin”. Këtë mesele nuk e ka shpikë dikush në kafene, por e ka rrëfyer në gazetë një kolumnist i njohur. Por ajo flet qartë për sharlatanizmin e krijuesve të identiteteve sipas qejfeve apo dëshirave.

2. Luani i VMRO-së ku bën pjesë në identitetin maqedonas?

Pos diellit të Verginës, në protesta e keni flamurin me luan, të VMRO-së. Por ai flamur ka shkaktuar shumë debate dekadave të kaluara, përse kjo parti e ka zgjedhur një simbol shumë të afërt me simbolin nacional bullgar, me dyshime “të bazuara” për lidhje me Sofjen. Pyetja për një milion është nëse ata që valëvisin me simbol të këtillë, vërtet mbrojnë identetiten maqedonas?! Apo janë heshtur për shkak të politikanizmit ditor, gjoja se janë kundër një kompromisi me Bullgarinë, edhe pse ndër vite, nga kjo parti kanë propaguar një lloj afërsie midis popullit maqedonas dhe atij bullgar. Nuk është kurrfarë fshehtësie, prej fillimit te kjo parti, që nga themeluesit e gjer te shumë aktivistë edhe sot, sendimentin probullgar e kanë si diçka burimore! Si një lloj kthimi nga rrënjët. Edhe diaspora që e ka përkrahur këtë subjekt, të kyçur në shoqata e klube mërimtarësh, nga Kanadaja ose Australia, si MPO e ndonjë tjetër, janë akuzuar se e kanë po të njëjtin sentiment. Kjo mund të shihet nga shumë dosje për aktivistë të shoqatave të atjeshme, që ish shërbimet i kanë trajtuar si elemente vançomihajlloviste, pra, probullgare. Ndoshta diçka shërbimet kanë shpikur, por jo gjithçka. Do të kishim thënë se gjithçka mund të ndryshojë e evoluojë, por ndër më të eksponuarit edhe në këto paraqitje kundër propozimit francez, janë pikërisht disa sish që kanë punuar për lidhje më të përafërta me Bullgarinë. Dhe nuk duket as e logjikshme, e as e sinqertë, beteja e tyre për maqedonizmën.

3.Lëvizja nga njëri në tjetrën origjinë!

Pastaj është paradoksi tjetër, ata që së pari zgjodhën luanin si simbol të partisë së tyre, që për shkencën e heraldikën ai është një simbol me të kaluarën bullgare, më vonë kaluan te dielli i Verginos, një simbol antik, për të sajuar një identitet të ri. Këto gjëra kur bëhen brenda pak vitesh, dhe lidhen me identitet, flet për pasigurinë identitare, ose për manipulim me çështjet identitetare. Dhe është vërtet dilemë e madhe se sa ata që bëjnë këso akrobacionesh, mund të mbrojnë identitetin e vërtetë maqedonas. Sepse, për publikun mund të mbetet enigmë për cilin identitet e kanë fjalën!

4.Me çfarë simboli mund të valëvitë Apasievi?

Si kapak i gjithë ironisë, është që në këto protesta nuk është shfaqur edhe flamuri rus, ose të paktën jo sa të dominojë! Por dhe të shfaqet nuk do të ishte çudi. E keni organizatore Të Majtën e Apasievit i cili është deklaruar kundër orientimit perëndimor Maqedonisë. Aty është edhe partia Maqedonia e Bashkuar, që është pandan i Rusisë së Bashkuar të Putinit. Gjithë çka u tha më sipër, kompleton pamjen karrikaturale të simbolikës së flamujve në këto protesta, sepse, nga të gjitha simbolikat sikur gjithçka shpie te kjo e fundit. Pra, te pengimi i shtetit drejt BE-së dhe riorientimi drejt Lindjes.

Nuk do të ishte kjo ndonjë problem për Apasievin, sepse te ai nuk ka fshehtësi. Problem është bashkëveprimi i VMRO-së në një rresht me Apasievin, sepse në pikën e orientimt strategjik, përkundër të gjitha kontraversave që e kanë përcjellë veprimtarinë politike për tri dekada, VMRO-ja deri tash kishte qenë në kursin euroatlantik. Mbetet dilema nëse ndërkohë nuk është “riorientuar” nga vendi që sot sulmon Ukrainën, prej nga në vitin 2001 pikërisht qeveria e VMRO-së bleu ose huazoi Suhoi-t dhe Mi-të për të zgjidhur konfliktin në vitin 2001!

Në fund, mund të shtrohet pyetja a është duke u ulur edhe Mickovski në dy karrige: në njërën të deklarojë orientimin euroatlantik, e në anën tjetër, të shikojë nga Rusia. Këtë qasje e ka Vuçiqi në Serbinë e tij proruse, por ata kanë arsyet e veta për të qenë kundër Perëndimit. Maqedoninë nuk e ka sulmuar NATO si Serbinë, që të jetë proruse, përkundrazi është garant i sigurisë së saj. Edhe anketat tregojnë disponimin properëndimor. Involvimi i ndikimit rus në Maqedoni, e kanë të qartë kreatorët e politikave se mund të çojë në dallime serioze në shoqërinë maqedonase, edhe intraetnike(brenda maqedonase) edhe ndëretnike. Prandaj është i rrezikshëm ky aventurizëm.