Bojkoti i drejtoreshës së gjimnazit, paguhet mbi 4 mijë euro pa dalë në punë

Date:

Mund të trokasësh në zyrë por derën nuk e hap askush.

Është kjo zyra e drejtoreshës së Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, Fahrije Latifi Retkoceri e cila nga data 28 tetor e vitit 2021 nuk shkon në punë.

E gjithë kjo situatë është krijuar pasi mësimdhënësit e kësaj shkolle vazhdimisht kishin kundërshtuar zgjedhjen e saj në pozitën e drejtoreshës, duke bojkotuar mësimin.

E siç ka mësuar televizioni, paga e një drejtori të shkollës së mesme është rreth 550 euro, e që ajo është paguar pa shkuar në punë nga buxheti i shtetit rreth 4 mijë euro për periudhën 8 mujore.

Latifi-Retkoceri, ndërmjet telefonit ka thënë se po pret nga institucionet që të ia bëjnë një zgjidhje, dhe këtë situatë po e quan të padrejtë për të.

Biseda me drejtoreshen e Gjimnazit “Sami Frashëri”

“Unë nga distanca e përcjelli situatën e edhe gjërat që duhet kryer unë i aprovoj nga këtu pavarësisht që ata e anashkalojnë, unë nuk dal në punë për mos me ardh tek ndonjë konflikt tjetër apo ndonjë mosmarrëveshje institucionale sepse unë kurfar faji nuk kam aty,” u shpreh Fahrije Latifi-Retkoceri.

Aktualisht detyrat e drejtoreshës i ushtron zëvendësi i saj, Daut Selimi.

Ai nuk ka dashur të komentojë shumë situatën por, ka thënë që procesin e udhëheqjes së shkollës po ia del pa vështirësi.

“Ne i kemi bo përgatitjet me kohë, gjithçka ka shkuar në rregull, nuk ka pas asnjë vështirësi, gjithçka është në suaza të normales,” ka thënë zëvendës drejtori, Daut Selimi.

Zëvendës Drejtori, Daut Selimi

Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje nëse ka ndërmarrë ndonjë hap për këtë çështje por, televizioni jozyrtarisht ka kuptuar që është në proces të hapjes së një konkursi për drejtorin apo drejtoreshën e re të Gjimnazit “Sami Frashëri” në kryeqytet.