Gjenerata e 57-të e Policisë së Kosovës fillon trajnimin profesional

Date:

Gjatë ditë së martë të 12 korrikut, Policia e Kosovës ka filluar trajnimin profesional në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, trajnim i cili është bërë për zyrtarët policorë të gjeneratës së 57-të të kadetëve policorë.

448 pjesëtarë janë përzgjedhur që t’i bashkëngjiten Policisë së Kosovës, duke u bërë kështu punonjës të rinj të saj.

“Pas nënshtrimit të të gjitha procedurave të parapara testuese për të gjithë aplikantët nga konkursi i fundit për zyrtarë policorë për fillim të trajnimit bazik, sipas parimeve  të meritokracisë janë përzgjedhur 448 pjesëtarë, të cilët i janë bashkëngjitur Policisë së Kosovës, si punonjësit më të ri të saj,” shkruhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Trajnimi profesional i gjeneratës së 57-të të Policisë së Kosovës

Poashtu, kjo gjeneratë përbëhet nga, gjithsej, 448 pjesëmarrës në të cilën janë përfshirë kadetë policorë të të dy gjinive, e të cilët njëkohësisht përfaqësojnë komunitetet e të gjitha grupeve etnike të Republikës së Kosovës.

Kadetët policorë janë të ndarë në katërmbëdhjetë klasa, teksa ky trajnim është planifikuar që të zgjasë 31 javë sipas planprogramit të akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve.

Gjinia femërore nuk ka munguar në mesin e kadetëve policorë, aty janë, gjithsej, 54 kadetë femra, si dhe 32 kadetë të pakicave të tjera etnike.