Nuredini: Jemi të hapur për bashkëpunim dhe përshpejtim të procesit të rivalorizimit të PK Mavrovë

Date:

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini zhvilloi takim pune me përfaqësuesit e Qendrës së Kërkimit dhe Informacionit Mjedisor Eko-Svest, Shoqatës Ekologjike të Maqedonisë (SHEM), Front 24/42 dhe NPPK Mavrovë. Në takim u shkëmbyen mendime rreth procesit të rishpalljes së PK Mavrovë për zonë të mbrojtur në kategorinë dy – park kombëtar. Në të njëjtën kohë, ministri Nuredini theksoi se përpjekjet e MMJPH-së kanë për qëllim përshpejtimin e procesit dhe shprehu gatishmërinë për të i ndihmuar NPPK Mavrovë në sigurimin e mjeteve financiare të nevojshme për rishqyrtimin/plotësimin e Studimit për rivalorizimin e kësaj zone të mbrojtur nga viti 2012.

Profesionistët e MMJPH-së informuan për të dhënat e shumta që disponohen si rezultat i studimeve dhe projekteve të tjera të realizuara në periudhën e kaluar, që paraqesin bazë të mirë për korrigjimin dhe plotësimin e të dhënave ekzistuese për PK Mavrovë.

Nga ana e shoqatave civile gjithashtu u konfirmua edhe interesi për përfundimin sa më të shpejtë të këtij procesi në drejtim të sigurimit të mbrojtjes më të mirë të vlerave natyrore, por edhe për të mundësuar zhvillimin socio-ekonomik të zonës.

Ministri Nuredini tregoi se përfundimi i procesit të rivalorizimit është kusht për miratimin e Planit të Menaxhimit të PK Mavrovë, i cili është bazë për sigurimin e mbështetjes nga donatorët. Në atë kontekst u theksua edhe nevoja për përgatitjen e një Studimi socio-ekonomik mbi bazën e të cilit do të gjurmohet siç duhet zhvillimi socio-ekonomik i kësaj zone me vlera të shumta natyrore, por edhe me shumë mundësi të pashfrytëzuara.

Takimi u organizua me iniciativën e Qendrës së Kërkimit dhe Informacionit Mjedisor Eko-Svest, në kuadër të fushatës Save the Blue Heart of Europe.