Paralajmërohet caktimi marzhës për fitim në produktet bazike nga Qeveria

Date:

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se janë duke punuar për një masë ligjore rreth produkteve bazike.

Caktimi i marzhës së fitimit ose çmimet tavan, janë dy opsionet që po shqyrtohen nga dikasteri i cili udhëhiqet nga Hajdari.

“Pas koncept-dokumentit të MINT-it me çmimet tavan të derivateve, kemi formuar edhe grupin e dytë punues për produktet esenciale. Këto produkte do të përfshihen në masë ligjore: gruri, mielli, buka, orizi, pasta nga gruri i fortë, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa, veza, mishi i pulës, sheqeri, sapuni, detergjenti dhe pecetat higjienike”.

Ajo ka theksuar se në kuadër të ministrisë, një grup punues është duke analizuar situatën në treg në mënyrë që të dalin me një përfundim.

“Do të analizojmë se cilën masë do ta marrim, a do të shkojmë me çmime tavan apo marzhë tregtare. Të gjitha këto do të ndodhin shumë shpejt. Por se cilën masë do ta marrim, varet nga analiza e situatës. Do të marrim një masë që do të ndalojë spekulimet, sepse jemi të informuar çdo ditë nga Dogana për çmimet furnizuese nga importi”, ka thënë Hajdari.

Për rritjen e çmimit të bukës në disa furra në disa qytete të Kosovës, ministrja Hajdari ka thënë se çmimi furnizues i importit i grurit dhe miellit ka pasur rënie që nga muaji maj.

Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës së Mullistëve, Bashkim Zejnullahu, ka thënë se në Kosovë ka furnizim të mjaftueshëm me grurë.

Sipas tij, nuk ka arsye për shqetësim dhe as rritje të çmimeve.

“Do të kemi furnizim të mjaftueshëm të brendshëm, sigurisht do të krijohen furnizime sipas nevojës edhe nga tregjet e jashtme që ne të kemi mundësi të ofrojmë furnizim stabil për tregun tonë. Çmimet duhet të kishin pasur rënie gjatë sezonit 2022”.

Kryetari i Shoqatës së Mullistëve, Bashkim Zejnullahu

“Jemi kundër abuzimeve të çmimeve nga kushdo qoftë dhe të mos shfrytëzohet situata aktuale që të ngrisin çmimet pa nevojë. Nuk ka nevojë për shqetësime pasi ka furnizime, por as për ngritje të çmimeve”, shtoi Zejnullahu.