Pas vendimit të Gjykatës për sigurimin e dëshmive nga motrat Ismaili, reagon Adelina Ismaili

Date:

Këngëtarja e njohur shqiptare Adelina Ismaili ka reagur pas lajmeve se Gjykata Themelore e Prishtinës do të kërkojë ndihmën e Policisë së Kosovës, për të sjellë motrat Ismaili si dëshmitare në seancën gjyqësore për rastin Sekiraqa.

Adelina Ismaili dhe Zanfina Ismaili, bashkë me motrën e tyre të tretë, Emën, deri më tani nuk janë deklaruar ndër vite lidhur me këtë rast.

Por, mbi raportimet e së mërkurës nga Gjykata Themelore, Adelina Ismaili ka reaguar në rrjetin social Instagram, ku ka thënë se nuk po kërkohet nga askush.

“Të dashur miq dhe fansa. Asnjë Polici nuk është në kërkimin timin e as të motrave të mia. Ne nuk jemi kriminele dhe nuk kemi raste në Polici. Jemi dëshmitare të një rasti dramatik që ka ndodhur para 15 vjetësh dhe kemi bashkëpunuar me të gjitha institucionet e RKS-së për zbardhjen e rastit. Më shumë se 10 vjet dëshmi në gjyqe dhe në Polici sa herë që është kërkuar nga ne duke rrezikuar jetët tona nga banda kriminale që na kanë kërcënuar pa ndalur dhe vazhdojnë…mos të flasim për dëmtimin e imazhit dhe të gjithë reperkusionet negative që ka pasur në jetët tona profesionale”, ka shkruar Ismaili.

Gjithashtu , ajo ka shkruar se të gjitha dëshmitë që ajo dhe motrat e saj i kanë dhënë, janë të arkivuara në EULEX dhe se të njëjtat i posedojnë në tavolinat e tyre edhe gjykatat, ndaj nuk është e nevojshme që të vazhdojnë atë që ajo e quan një “show mediatik”.

Ilustrim

“Ky rast përsëritet çdo tri vjet tash dhe nuk merret vendim final. Në letrat adresuar gjykatësit jemi shprehur shumë konkretisht që ne i mbesim prapa deklaratave tona dhënë prokurorit të EULEX-it, vitet 2016-2017, Z.Carney dhe nuk dëshirojmë të thirremi sa herë që i pandehuri bën apel. Këto janë absolutisht në dakord me ligjet e RKS-së dhe është e drejtë e jona, sipas avokatit tonë. Ne mund dhe të paraqitemi në gjykatë për t’ju thënë të njëjtat fjalë sikurse është shkruar në letrat tona, por nuk jemi të interesuara për show mediatik lidhur me këtë rast. Show i cili i shërben strukturave kriminale në Kosovë apo shërbyesve të tyre, siç duket duan ta mbyllin këtë rast me një epilog ndryshe nga vendimi i gjykatës. E falënderojmë Policinë e Kosovës që çdo herë kanë treguar korrektësi, kurse e nderuara gjykatë, ne vërtetë udhëtojmë shumë. Dëshmitë tona i keni në tavolinat tuaja”, ka theksuar këngëtarja Ismaili.

Gjykata themelore në Prishtinë kërkon nga policia që Adelina Ismaili dhe dy motrat e saj të sillen në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës