Stoltenberg e vlerëson kontributin e Shqipërisë për Ukrainën

Date:

Në konferencën e përbashkët për media, me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka falënderuar atë për rolin humanitar në ndihmë ndaj Ukrainës.

Në fjalën e tij, Stoltenberg ka thënë se Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për NATO-n, dhe se e vlerëson kontributin e Shqipërisë për stabilitetin dhe bashkëpunimin me vendet e rajonit.

Stoltenberg i përmendi edhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it, të cilat qëndrojnë në Kosovë.

“Shqipëria kontribuon në forcat shumëkombëshe në Letoni dhe Bullgari, dhe u ndihmoni në parandalimin e çdo agresioni ndaj vendeve të NATO-s, ju kontribuoni për KFOR-in që është me bazë në Kosovë. Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për NATON, dhe e vlerësojmë Shqipërinë për nxitjen e stabilitetin dhe bashkëpunim në rajon”, ka thënë Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, e ka falënderuar Shqipërinë edhe për ratifikimin e shpejtë të protokolleve për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Po ashtu, Stoltenberg e ka vlerësuar mbështetjen dhe vizitën e kryeministrit Rama në Ukrainë.

“Në samitin e NATO-së në Madrid, ne morëm vendime me efekte mjaft thelbësore për të forcuar dhe transformuar aleancën, këtu përfshihet një ndryshim thelbësor në qëndrimin tonë për parandalimin e konflikteve, mbështetja për Ukrainën dhe një koncept të ri strategjik. Ne po kështu ramë dakord që të ftojmë Suedinë dhe Finlandën të bashkohen në NATO, dhe po ashtu, falënderojmë Shqipërinë për ratifikimin e protokolleve për anëtarësimin e tyre shpejt”, ka thënë Stoltenberg.

Në fund, Stoltenber është shprehur se dera e NATO-së mbetet e hapur dhe se kjo aleancë e përkrah të drejtën e secilit vend ta zgjedhë rrugëtimin që dëshiron.