UP-ja vlerëson punimet në Spitalin “gjysmak” të Ferizajt

Date:

Në vitin 2021, ishte paraparë që Spitali i ri regjional i Ferizajt të finalizohej. Tash edhe pse në vitin 2022, objekti nuk është as afër përfundimit, madje punët janë ndalur që nga viti i kaluar.

Tenderi i parë ishte hapur më 14 qershor të vitit 2016, ndërsa dy muaj pasi ishin publikuar informatat shtesë për këtë tender. Tenderi i parë ishte dhënë në nëntor të vitit 2016 për t’u anuluar në shkurt të vitit 2017.

Më 25 janar të vitit 2018, atë kohë Ministër i Shëndetësisë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, në kohën e fushatës së zgjedhjeve lokale e kishte nënshkruar kontratën, që do t’i hapte rrugë fillimit të punimeve për ndërtimin e një spitali të ri për qytetin e Ferizajt.

Ish-ministri i shëndetësisë, Uran Ismaili bashkë me kryetarin e komunës së Ferizajt, Agim Aliu, gjatë vizitës tek punimet në spitalin e Ferizajt, në vitin 2019

Sipas kontratës së nënshkruar, punimet për ndërtimin e spitalit, priteshin të përfundonin pas tri viteve, në vitin 2021. Për këtë projekt, ishin ndarë rreth 10 milionë euro.

Ndërkaq, në vitin 2021, në një komision për shëndetësi, ministri i atëhershëm nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia, kishte deklaruar se për shkak të parregullsive të krijuara nga kontraktorët, lënda për spitalin e Ferizajt, ishte dërguar në prokurori.

Në një përgjigje me shkrim për Portalin Dukagjini, Ministria e Shëndetësisë, ka thënë se për shkak se operatori ekonomik i kontraktuar disa vite më parë nga Ministria e Shëndetësisë, nuk e ka respektuar kontratën, kontrata të njëjtit i është ndërprerë.

“Operatori ekonomik i kontraktuar vite me pare nga MSH per realizimin e ndërtimin e Spitalit te Ferizajt ka deshtuar qe ta permbush kontraten dhe si pasoje punimet nuk jane perfudnuar, ndersa kontrata i eshte nderprere”, thuhet në përgjigjen e Msh-së.

Në vazhdimin e përgjigjes së Msh-së, thuhet se Ministri Rifat Latifi me ardhjen ne detyrë, ka nënshkruar me Universitetin e  Prishtinës “Hasan Prishtina”, perkatesisht Fakultetin e Ndërtimtarisë Memorandumin e bashkëpunimit nga të cilët është duke pritur ta kryejnë kontrollin teknik, të objektit.

Ministria e Shëndetësisë

“Sipas këtij Memorandumi, MSh, përmes bashkëpunimit konkret me Fakultetin e Ndërtimtarisë të UP “Hasan Prishtina”, do të mbështetet për të arritur objektivat specifike profesionale, përkatësisht përfshirjen e komunitetit akademik e shkencor me standarde të pranueshme shkencore e profesionale, në shqyrtimin e punëve të realizuara si pjesë e rëndësishme për ecurinë në implementimin e projektit”, thuhet në përgjigjen e Msh-së.

Msh-ja nuk ka dhënë ndonjë datë të saktë se kur pritet të fillojnë punimet në spitalin e ri të Ferizajt, por vetëm kanë thënë se po e presin “kolaudimit te puneve te kryera deri tani ne ketë spital, te cilin e bejnë ekspertet e UP-se sipas memoranduimit, per të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm rreth këtij spitali, në varësi te vlerësimit që është duke u bërë nga UP-Fakulteti i Ndertimtarise”.

Ndërkaq, deputeti i cili vjen nga qyteti i Ferizajt, njëkohësisht deputet i PDK-së, Elmi Reqica, ka thënë për Portalin Dukagjini, se Qeveria Kurti 1 dhe Kurti 2, me qëllim po e zvarrisin këtë projekt, me arsyen e vetme sipas tij, se komuna e Ferizajt, udhëhiqet nga kandidati i PDK-së.

“Unë i kam parashtruar një pyetje parlamentare, dhe ish minsitrit Vitia, dhe ai nuk ka pasur asnjë sqarim se pse është duke u zvarritur i Spitalit. Ky Spital është dashtë të përfundoj me 15 qershor të vitit 2021, unë i kam parashtru edhe ministrit Vitia dhe këtij aktual, është e paarsyshme dhe më shumë ka arsye politike, ndoshta edhe të tjera për ndërtimin e këtij spitali”, ka deklaruar Reqica.

“Nuk shoh arsye tjetër, mund të ketë pengesa, mund të ketë ndonjë cështje që mund të rishikohet, mirëpo kjo është odiseadë, është që nga viti 2013m vazhdimisht ka pasë këso telashe”, ka vijuar ai.

Deputeti i PDK-së, nga qyteti i Ferizajt, Elmi Reqica

Reqica, i ka kritikuar kolegët e tij deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët po ashtu vijnë nga qyteti i Ferizajt, se sipas tij, nuk e kanë bërë asnjë përpjekje, për ta mbështetur projektin e spitalit të ri të Ferizajt. Po ashtu, ai e ka kritikuar edhe ministrin Hekuran Murati, i cili sipas tij, nuk ka marrë asnjë iniciativë, për fillimin e punimeve të spitalit.

“Asnjë propozim, as në propozimet për buxhet, as për rishikim të buxhetit, nuk ka pas mbështetje nga asnjë deputet të Ferizajt apo regjionit, sidomos tek ata të Lëvizjes Vetëvendosje. Edhe njëkohësisht nga, Ministri Murati, kam kërkuar, dhe absolutisht nuk kam has mbështetje”, ka deklaruar Reqica.

Deputeti i VV-së, Dimal Basha

Ndërkaq, ferizajasi tjetër, deputet nga radhët e LVV-së, Dimal Basha, i ka quajtur gënjeshtra, akuzat e Reqicës.

“Nuk me befasojnë rrenat e tij e partisë së tij”, ka thënë ai shkurt për Portalin Dukagjini.

Në lidhje me këtë cështje, deputeti Dimal Basha dhe kolegu i tij Enver Haliti, të mërkurën e kanë paralajmëruar një konferencë për media, ku sipas tyre do t’i sqarojnë problemet e ndërtimit të Spitalit të ri të Ferizajt.

Spitali i ri i Ferizajt