Krasniqi: Kosovën e pret dimër i rëndë ndërsa Kurti i ka kaluar 100 ditët e fundit nëpër ekskursione

Date:

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka kritikuar qeverinë dhe kryeministrin për gjendjen ekonomike të vendin, ku ai është shprehur se inflacioni është ngritur në 14.1 përqind, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur asnjëherë pas luftës në Kosovë.

Kosova ka hyrë në mesin e shteteve që janë në listën e nivelit global me shkallën më të lartë të zhvlerësimit të parasë, me këtë përqindje të inflacionit, është shprehur Krasniqi.

“Rrjedhimisht, me të njëjtat të hyra si deri dje, secili qytetar i vendit tonë, sot blenë më pak produkte e siguron shumë më pak shërbime,” shkruan Krasniqi.

E kjo gjë duket se e ka irrituar Krasniqin, sepse sipas tij çdo shtet tjetër po ua lehtëson jetën qytetarëve të tyre, ndërsa qytetarët e Kosovës janë vetëm në mëshirën e fatit.

Për kryetarin e PDK-së qeveria nuk po tregon vizion e as nuk po ndërmerr masa.

“Në kulmin e ngritjes së çmimeve të të gjitha produkteve bazike ushqimore – Kryeministri dhe Qeveria që ai udhëheqë, nuk po tregojnë as vizion, as vullnet e as guxim për të marrë masa konkrete për të zbutur këtë gjendje,” ka shkruar Krasniqi.

Sipas analizave ekonomike dimri do të jetë i rëndë, e rritja e çmimeve po vazhdon. Krasniqi e quan këtë gjë si sfidë të rëndë për çdo familje.

“Fatkeqësisht, më e keqja akoma pritet që të vije për ekonominë dhe qytetarët tanë. Analizat ekonomike paralajmërojnë se dimri që po vjen pritet të jetë jashtëzakonisht i rëndë.”

“Rritja deri në trefish e çmimit të energjisë, shtrenjtimi i lëndëve djegëse për ngrohje, do të jenë sfidë shumë e rëndë për secilën familje. Çmimet e derivateve dhe të ushqimeve nuk pritet aspak të zbresin.  Pandemia po e rikthen intensitetin e saj, e, sipas gjendjes faktike, mundësia për rritjen e pagave është tepër e vogël,” shkruan tutje kryetari i PDK-së.

Postimi i Memli Krasniqit

Sipas Krasniqit, masat do duhej të ishin marrë më herët nga qeveria, por ai ka kritikuar Kurtin se në vend që të merrej me këtë, i ka kaluar 100 ditët e fundit në ekskursione.

“Këto paralajmërime, do të duhej të mjaftonin që Qeveria të ndërmerrte masa emergjente qysh sot. Por, jo. Për Kryeministrin, i cili në 100 ditët e fundit gjysmën e tyre e ka kaluar jashtë vendit nëpër ekskursione personale – pa asnjë rezultat për Kosovën, më me rëndësi po dalin të jenë tryezat e debateve dhe takimet shterpe.”

Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar heqjen e akcizës për naftën dhe të TVSH-së për produktet ushqimore.