Mitrovicë veriore, targat RKS mbulohen me letra ngjitëse “KM-SRB”

Date:

Mëngjesi i së martës shumë vetura me targat RKS në Mitrovicën Veriore i gjeti të mbuluara me letra ngjitëse të improvizuar si targa “KM” të lëshuara nga Serbia për komunën e Mitrovicës. Për këtë veprim askush nuk e ka marrë përgjegjësinë publike, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

“Për rastin është raportuar në polici. Policia është në vendin e ngjarjes. Ende nuk kemi ndonjë raport. Pasi të kthehen Policia kontaktojmë me prokurorin dhe shohim tutje”, ka deklaruar për RTV Dukagjinin zëvendës-drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti.

Edhe nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë janë vënë në lëvizje por pa një përgjigje konkrete se çka do të veprojnë.

“Po është njoftuar prokurori për rastin. Disa persona janë ankuar se ju kanë vendosur stikera në veturat e tyre, por për momentin nuk ka asgjë, pasi pritet që prokuroria në bashkëpunim me policinë të shikojnë çka ka për të vepruar më tutje”, është përgjigjur për RTV Dukagjinin zëdhënësi , Valon Preteni.

E serbët lokalë u treguan të pa interesuar të flasin për këtë temë. Që nga përfundimi i luftës Serbia lëshon targa për disa Rajone të Kosovës. Me vendim të Qeverisë pas datës 30 shtator ndalohet qarkullimi me këto targa. Ky vendim sipas analistit Nexhmedin Spahiu është i qëlluar dhe duhet të zbatohet.

“Qytetarët në komunat veriore të Kosovës nuk kanë zgjidhje tjetër përpos se pa e respektuar vendimin për shndërrimin e targave në “RKS”. Pa e respektuar këtë rregull nuk munde, nuk kanë ku të shkojnë. Ata me këtë ndalesë duhet të ballafaqohen në kufi, në brendësi të Kosovës”, shprehet Spahiu.

Nexhmedin Spahiu, analist.

Vendosja e letrave ngjitëse “KM”, sipas Spahiut tregon për qasjen që ajo pjesë e ka me institucionet e Kosovës. Prandaj ai thekson se “…duhet të llogaritet se çfarëdo veprimi që qon drejt sundimit të rendit dhe ligjit do të hasë në rezistencë.”.

Për ti regjistruar automjetet me RKS, kjo kategori e automjeteve nuk i nënshtrohet doganës. Përpos që i kursejnë mijëra euro, në regjistrim e parë veturat nuk dërgohen në kontrollim teknik. Po ashtu sipas vendimit të Qeverisë për regjistrim të automjetit pronarët lirohen nga pagesa 10 euro ndaj komunës përkatëse.

Serbia asnjëherë nuk ka lejuar targat me simbole të Kosovës, veprim të cilit Kosova i është përgjigjur me reciprocitet. Më 21 prill ka qenë afati i fundit për një marrëveshje, por që nuk u arrit.