Përgjegjësia shtetërore, emër abstrakt për VMRO-në!

Date:

-VMRO-ja gjithë veprimtarinë e vet e ka të përshkuar me veprimekundërthënëse: në planin e brendshëm, shpesh tensiononte marrëdhëniet ndëretnike duke kundërshtuar kërkesat e shqiptarëve, në planin brenda maqedonas, krijoi çarje identitare, dhe në planin historik, rehabilitoi shumë figura që ishin anatemuar si bullgare dhe tash kundërshton një afërsi e miqësi me Bullgarinë!

Në botën pluraliste, opozita nuk është vetëm subjekt pa pushtet, por një kontrollues dhe korrigjues i politikave të pushtetit. Prandaj është qasje e gabuar nëse roli i opozitës nënkuptohet vetëm të kundërshtojë. Në rastet e caktuara, pushtet dhe opozitë duhet të bëhen bashkë.

Një gjë e tillë te ne ndodh shumë rrallë. Krahas kundërshtimit, opozita aktuale, për shkak se ka një agjendë tepër egoiste, atë të krijimit të krizës politike për të ardhur në pushtet me shumicë të re parlamentare, që nuk i shkoi ndoresh, ose me zgjedhje të parakohshme, edhe çështjet e interesit të lartë shtetëror, i përdor për atë qëllim.

Sot Kuvendi i Maqedonisë së Veriut duhet të votojë rekomandimet për qeverinë që ajo të ketë një kornizë politike për bisedime me BE-në dhe Bullgarinë në bazë të propozimit francez. Opozita në vend se të rreshtohet në një proces që duhet t’ia hapë derën vendit për BE, ajo ka zgjedhur rrugën e bllokadës dhe obstruksioneve, duke anashkaluar argumentet se për çështjet që janë më të ndijshme, për identitetin dhe gjuhën maqedonase, zgjidhja e ofruar është e favorshme. Fundja, nëse e shohim anën procedurale, beteja kryesore e opozitës është në momentin kur do të votohen ndryshime kushtetuese për t’u futur edhe pakica bullgare si kategori etnike dhe nëse do, i ka votat për të penguar.

Ajo që duhet thënë, kur është në pyetje VMRO-DPMNE-ja është se kjo parti pothuajse në të gjitha fazat jetike, ndoshta përveç se në vitin 1991 kur insistonte për referendum për t’u ndarë nga RSFJ-ja, ka qenë në anën e kundërt të interesit shtetëror. Kjo parti gjithnjë është marrë me çështjet e brendshme dhe në propagandën e saj të rrezikut shqiptar, ka përfituar në shumë zgjedhje. Ajo që ka përfituar nuk është ndonjë çështje aq problematike, sa është problematik fakti se ka mbjellë në popull një animozitet “të natyrshëm” ndaj shqiptarëve, sikur ata të ishin rreziku më i madh për shtetin. Modelimi i kushtetutës rigjide, rezistenca ndaj arsimit të lartë, ndaj përdorimit të gjuhës shqipe, ishin gjëra që e kanë përshkuar veprimtarinë politike të VMRO-së dhe falë saj, për shkak të kalkulantizmit politik edhe të partive tjera maqedonase, këto çështje ndër vite e dominonin dhe kontaminonin skenën politike, gjer në kriza serioze.

Obstruksionizmi i kësaj partie ka vazhduar edhe kundrejt Marrëveshjes së Ohrit, sepse menjëherë pas nënshkrimit të saj nga vetë lideri i kësaj partie, u shkelën disa pika pikërisht me presionet e paprincipta gjatë ndryshimeve të kushtetutës. Po nga kjo parti vazhduan pastaj edhe obstruksione tjera: 2004-a ishte viti i decentralizmit, kur kjo parti, atëherë në opozitë, bëri dramë në gjithë Maqedoninë me protesta. Ishte obligim nga Marrëveshja e Ohrit, por ata nuk çanin kohë. Nënshkrimi kishte vlejtur për ta vetëm më datë 13 gusht kur qe nënshkruar nga lideri i tyre kryeministër!

Kauzat ose qasja e gabuar, mbase me diskurs manipulativ, ishte edhe projekti megaloman me inxhenering identitar, Shkupi 2014, në kohën kur duhej të gjendet zgjidhje për kontestin me Greqinë. Me këtë, jo vetëm që e vështirësoi procesin e negocimit me Greqinë, por dhe futi pyka në vetëdijen kombëtare maqedonase, duke i ndarë praktikisht në maqedonas antikë dhe maqedonas sllavë! Kjo ndarje, sigurisht se ka pasoja largpamëse, sepse nëse indoktrinon gjenerata të reja, ata do të jetojnë me atë iluzion të rrejshëm që dikush ua servisi si prralle të bukur dhe nuk do të heqin dorë lehtë!

Kjo çështje identitare tash po reflektohet edhe në raport me Bullgarinë, sepse nëse afërsia e popujve të sllavëve të Jugut nënkupton një farë afërsie midis tyre gjer në origjinë të përbashkët, futja artificiale e rrënjëve antike, tash e ndan popullin maqedonas prej popujve të tjerë krijon narrativin se dikush po e rrezikon(antik!). Domethënë, rrezikon identitetin e rrejshëm të krijuar me kuazishkencë në fillim të shekullit 21!

Dhe e fundit që në fakt në listën e mëkateve nuk është krejtësisht e fundit, por nga ato që janë thelbësore, është kundërthënia midis veprimit të hapur dhe agjendës së heshtur. Për lexuesit të përkujtojmë se është krijuar, jo pa bazë, percepcioni se në VMRO janë rreshtuar shumë elemente me sentiment bullgarofil, disa sish edhe e kanë deklaruar hapur afërsinë midis maqedonasve dhe bullgarëve. Ndaj, kjo qasje rreth afërsisë(sepse afërsi kanë edhe popujt tjerë fqinj, që e tregon ngjashmëritë midis gjuhëve të tyre), ishte shokuese për gjenerata të indoktrinuara të komunizmit, por realisht nuk është ndonjë herezi ose problem. Bile, pikërisht qeveria e VMRO-së, nëse nuk gabojmë, në vitin 1998, kishte arritur një marrëveshje me Bullgarinë, e ngjashme me këtë të miqësisë e bashkëpunimit, dhe për këtë ishte kritikuar që atje nuk përmendjen fare gjuha maqedonase. Ku u bënë tash këta të VMRO-së më kombëtarë se atëherë, duke pasur parasysh këtë fakt?

Të mos harrojmë edhe një fakt shumë të rëndësishëm: gjatë qeverisjes së gjatë të VMRO-së, nga viti 2006 gjer në vitin 2017, falë sentimentit që përmendëm më sipër, qenë rehabilituar figura historike që më parë ishin anatemuar si bullgarë, në krye me Todor Aleksandrovin, e nëse shkojmë edhe më thellë, në mënyrë indirekte edhe Vanço Mihajllovin, “kryeproblemin” e të kaluarës historike, të cilit, në mënyrë diskrete, ia kanë vendosur bustin në muzeun e VMRO-së!!! Nëse kësaj i shtojmë edhe qëndrimin mohues të VMRO-së ndaj babait të gjuhës moderne maqedonase, Bllazhe Koneskit, që e ka larguar maqedonishten dhe alfabetin nga afërsia me alfabetin dhe gjuhën bullgare, bëhet gjithçka e qartë.

Pra, të gjitha veprimet e VMRO-së kanë çuar drejt një afrimi me Bullgarinë, sot ata bëjnë zhurmën më të madhe kundër një marrëveshjeje që i thellon raportet me këtë fqinj!
Vijmë te përfundimi se kjo parti, nuk e harron filosofinë e vet politike, dhe metodat e veprimit destruktiv për të ardhur në pushtet. Ja kjo është e vërteta! Nuk çajnë kokën fare për interesa shteti. Ata nuk e kanë zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë shtetërore!