Balla ka pritur në takim të dërguarin e Zelenskyy-t: Qëndrojmë në krah të popullit ukrainas

Date:

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëherësh deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Taulant Balla ka pritur në takim të Dërguarin Special të Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, Anëtarin e Delegacionit të Bisedimeve të Paqes, deputetin Rustem Umerov.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, deputeti dënon ashpër agresionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia, duke shtuar se qëndrojmë në krah të popullit ukrainas.

“Shqipëria dënon ashpër agresionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia. Ne qëndrojmë në krah të popullit ukrainas dhe e konsiderojmë këtë agresion si një sulm kundër lirisë dhe demokracisë”.

“Krimet e rënda kundër njerëzimit dhe aktet gjenocidale si ato në Bucha nuk do të mbeten në asnjë rast pa u hetuar dhe pa u ndërshkuar urdhëruesit dhe autorët”, ka shkruar Balla.

Pamje nga takimi

Më tej ka thënë se NATO do të vazhdojë mbështjetjen ndaj Ukrainës në luftën me agresionin rus.

“NATO do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën me asistencë në siguri për të luftuar agresionin rus dhe për të mbështetur të drejtën e tyre për vetëmbrojtje”, ka shtuar deputeti.