Deputeti e “zë ngushtë” kolegen me gjuhën boshnjake si dialekt të serbishtes!

Date:

Sigurisht ka ndjerë një ndjenjë triumfalizmi deputeti Zdravko Trajanov kur i është drejtuar deputetes së pavarur Sanella Shkriel, kur e ka pyetur çka do të kishe thënë ti nëse gjuhën tënde boshnjake të ta konsideronin dialekt të serbishtes, pasi ajo kishte bërë apel që të votohet meqë maqedonishtja pranohet në BE si e tillë.

Në shikim të parë, duket sikur e ka zënë ngushtë deputeten, por në të vërtetë, argumenti është tejet qesharak. Në ish-Jugosllavi, në përdorim zyrtar ishin dy gjuhë që i bashkonin disa popuj me të folme të ngjashme: serbo-kroatishtja, e cila ishte gjuhë zyrtare në Serbi, ndoshta Mal të Zi e Bosnje, dhe kroato-serbishtja, që ishte variant i të njëjtës gjuhë, por zyrtare në Kroaci, e ndoshta për shkak të afërsisë edhe në Bosnje e Mal të Zi.

Për linguistët, ishte fjala për një gjuhë në dy variante, të ndara si E-kave dhe IJE-kave, për dallimin se si i shqiptojnë foljet serbët në njërën anë, dhe kroatët, boshnjakët dhe malazezët në anën tjetër. Për shkak të shpërbërjes së Jugosllavisë, në shtetet e reja, “i kanë ndarë” këto dy gjuhë, për t’u dhënë emrin administrativ vendit(gjuhë serbe, kroate, boshnjake, madje dhe malazeze), por gjithë e dinë se është fjala për një vazhdimësi nga përvoja e kaluar dhe nuk ka kontestime në këtë çështje. Natyrisht, gjuhët që fliten në njërin vend kanë leksikun më specifik se në tjetrin, por kjo nuk përbën ndonjë çështje për të cilën dikush bën debat politik.