Presidentja e Hungarisë të martën viziton Kosovën

765

Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, të martën e 13 shtatorit do ta vizitojë Kosovën.

Ajo do të pritet në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë nga shefja e diplomacisë Donika Gërvalla në orën 09:00.

Ceremonia e pritjes nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani do të mbahet në sheshin “Ibrahim Rugova”, ku do të pritet me gardën ceremoniale në orën 09:20.

Pas takimit, të dyja presidentet do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Ndryshe, Katalin Novak, në mars të këtij viti u zgjodh presidentja e parë grua e Hungarisë me mandat pesëvjeçar.

Ajo ka mposhtur rivalin e saj të opozitës, ekonomistin Peter Rona.

Kosova, kohët e fundit është vizituar edhe nga presidenti slloven, Borut Pahor.

Ai ka thënë se Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave dhe është një ndër vendet që është gërshetuar tashmë me vlerat evropiane. Ndërsa, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ai ka thënë se duhet të ketë rezultat në implementimin e marrëveshjeve dhe jo vetëm pajtim në ato çështje.

Ndërkaq, Presidentja e Kosovës, Osmani ka thënë se Sllovenia vazhdon të jetë zë i fortë që ka mbështetur Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave. Ajo shpreson që të ketë një vendim final në muajt e ardhshëm sa i përket çështjes së vizave, sepse siç thotë ajo, kriteret janë përmbushur qe një kohë të gjatë.

Ndryshe, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, krahas presidentëve të shteteve të rajonit ka marrë pjesë në takimin e 11-të të procesit Bërdo-Brione.

Ajo ka thënë se asnjë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk është deklaruar kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ballkani Perëndimor ishte një ndër temat e diskutuara në samitin e 11-të të Brdo-Brijunit, në të cilin mori pjesë edhe Osmani krahas presidentëve të vendeve të tjera. Gjersa ka vlerësuar rolin e Sllovenisë dhe Kroacisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, Osmani ka thënë se ky është momentumi më i mirë në këto katër vitet e fundit për liberalizimin e vizave.

“Aktualisht nuk ka vend në Bashkimin Evropian që na thotë se është kundër liberalizimit të vizave. Ky është momentum më i mirë në këto katër vitet e fundit për liberalizimin e vizave. Pra momentumi është i shkëlqyeshëm dhe kemi mbështetjen e nikoqirit. Shpresojmë që gjatë tetorit do të ketë takim për liberalizimin e vizave dhe pastaj në samitin e ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor të ketë diçka më shumë. Me rëndësi është që ky proces të bëhet gjatë presidencës çeke të BE-së”, ka deklaruar Osmani.

Ndër të tjera, Osmani ka përmendur edhe aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian, për të cilin ka thënë se shpreson që të pranohet nga secili shtet i BE-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here