Kurti: Të jemi pro paqes kërkon që të jemi edhe antifashistë

38

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se derisa të mërkurën po shënon Dita Ndërkombëtare e Paqes në anën tjetër Ukraina po vuan nga pushtimi rus.

Shefi i ekzekutivit në Twitter ka shkruar se pushtimi i paligjshëm i Putinit në Ukrainë kujton ditët më të errëta të agresionit fashist në Evropën e shekullit të 20-të.

Ai ka thënë se kjo luftë është një kujtesë “se të jemi pro paqes kërkon që ne të jemi edhe antifashistë”.

Ndërkaq në nder të kësaj dite edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se është e nevojshme më shumë së kurrë që të ketë solidaritet në mes të popujve të cilëve u rrezikohet shtetësia, sovraniteti e paqja.

“Nuk ka prosperitet të popujve pa paqe. Nuk ka zhvillim e barazi të shoqërisë pa drejtësi”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka thënë se nuk mund të flitet për paqen dhe drejtësinë shoqërore pa dënuar agresionin e padrejtë dhe të pa arsyetuar të Rusisë ndaj popullit të Ukrainës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

“Demokratizimi i rajonit, lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sundimi i ligjit dhe ballafaqimi me të kaluarën duhet të jenë parakusht për ndërtimin e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit rajonal”, ka vijuar ai.

Sipas Sveçlës, paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti afatgjatë në rajon dhe më gjerë duhet të jenë pasojë e drejtpërdrejt e zhvillimit të drejtësisë dhe demokracisë që duhet të ndërtohen në mes të fqinjësive të mira.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here