Murati: Përkundër sfidave, ekonomia e vendit po tregon qëndrueshmëri

34





“Përkundër sfidave të vazhdueshme globale, ekonomia e vendit tonë po tregon qëndrueshmëri të jashtëzakonshme duke vazhduar zgjerimin edhe në tremujorin e dytë të këtij viti”.

Kështu ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një postimi në llogarinë e tij në facebook, ku ka theksuar se kjo vërehet në trendin e qarkullimit të bizneseve në vend.

Murati i ka renditur disa nga masat dhe veprimet që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës që sipas tij çdoherë janë në shërbim të mbështetjes së ekonomisë e bizneseve për të rritur prodhimin, eksportet e punësimin.

“Si qeveri kemi zhvilluar fushatën e vaksinimit më efektiven në rajon, gjë që ka mundësuar heqjen më të shpejtë të kufizimeve dhe hapjen e tërësishme të ekonomisë”, ka shkruar Murati.

Skema e publikuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati lidhur me qarkullimin e bizneseve

Pos kësaj, ministri i këtij dikasteri ka potencuar se qeveria ka “subvencionuar çmimin e energjisë elektrike, gjë që mundëson bizneset tona të jenë më konkurrente dhe të rrisin eksportin”.

“Kemi mbështetur prodhuesit në zgjerimin e kapaciteteve të tyre, duke subvencionuar 20% të vlerës së kredisë investuese”, shtoi ai.

Murati ka thënë se edhe në bujqësi janë rritur subvencionet duke trefishuar mbështetjen për grurin e duke rritur mbështetjen për produktet e kulturat tjera.

Sipas Muratit, Qeveria aktuale e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, më shumë se çdo qeveri tjetër ka miratuar e shpërndarë pako masazh, në mbëstetje të familjeve në nevojë dhe në mënyrë që të rritet fuqia e tyre blerëse.

Ndryshe, qytetarët po përballen me rritjen drastike të çmimeve, ashtu si edhe pjesa tjetër e botës.

Rritja e çmimeve është shëndërruar në rrezikun kryesor për ekonominë botërore dhe padyshim atë kosovare, që mbetet e varur nga mallrat e importit.





LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here