Kusari-Lila: Greva e SBASHK-ut me pasoja të parikuperueshme për fëmijet

53





Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, ka thënë se dëmi që po shkaktohet nga greva në arsim, është i parikuperueshëm.

Kështu ka thënë ajo gjatë fjalimit të saj në seancën plenare ku po diskutohet për grevat në vend.

“Fatkeqësisht fëmijët po ballafaqohen me një situatë që nuk e shkaktuan. Greva e SBASHK-ut po ua shkakton këtë dëm atyre. Dëmi është duke iu shkaktuar fëmijëve me pasoja të parikuperueshme”, është shprehur ajo.

Sipas saj, përpjekjet e qeverisë për të gjetur zgjidhje janë të vazhudueshme, por siç thotë Kusari, procesi skajshmërisht është politizuar.

“Kjo u vërejt kur SBASHK-u tha se involvimi i Avokatit të Popullit është institucion që ka hyrë në rrugën e shantazheve për t’i përçarë sindikatat”, ka thënë ajo.

Deputetja e VV-së, ka potencuar se në maj të vitit 2022, kërkesa e SBASHK-ut përveç shtesave prej 100 eurove  ishte që mësimdhënësit të vendosen aty ku e meritojnë në Ligjin e Pagave.

“Sot e kemi udhëheqjen e SBASHK-ut që thotë se nuk e kanë pasur rastin të shohin Projektligjin e Pagave. Si mund të diskutoni për një çështje bazike e cila ka qenë boshti i kërkesës para se të hyjnë në grevë, kur ata sot që ka javë të tëra që Projektligji për Paga është në diskutim publik, thonë që nuk e kanë parë?”, shtoi ajo.

Ndryshe, java e katërt e shtatorit në Kosovë i gjen ende në grevë 99.6 për qind të mësimdhënësve në nivel vendi, e mijëra nxënës jashtë shkollave.

Kjo për shkak të moskompromisit nga asnjëra palë, qoftë nga Qeveria e qoftë edhe nga sindikalistët e arsimit të cilët nuk heqin dorë pa u plotësuar plotësisht kërkesat e tyre.

Mësimdhënësit e institucioneve publike po vazhdojnë grevën, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj.

Ndonëse përjashtim kanë bërë vetëm disa mësimdhënës që individualisht kanë nisur t’i mbajnë orët mësimore, megjithatë, janë afro 300 mijë nxënës që nuk kanë nisur ende procesin mësimor i cili ishte paraparë të niste më një shtator.

Ndërkohë, paga aktuale e mësimdhënësve në shkollat fillore të Kosovës është 470 euro, derisa me ligjin e ri pritet që të rritet dhe të shkojë deri në 620 euro.

Ndërkaq, mësimdhënësit e shkollave të mesme aktualisht marrin nga 530 euro dhe e njëjta pritet të rritet në 696 euro.

Pas pocedurës së konsultimit publik, Projektligji për Pagat pritet të miratohet në Qeveri dhe në Kuvend.

Greva në arsim, kush ka faj?





LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here