Gashi për grevat: Opozita ka rënë në një frikë totale

Date:




Analisti politik, Astrit Gashi, ka thënë se opozita në Kosovë ka rënë në një frikë totale, dhe nuk po guxon, sipas tij, të thotë se e përkrah grevën.

Gashi ka thënë se opozita po tenton që të distancohet në mes të kërkesave të sindikatave dhe grevës si veprim, për t’i arritur ato kërkesa.

Ai ka theksuar se nuk mund të jesh kundër grevës dhe pro kërkesave të sindikatave. Sipas tij, opozita po tenton të marrë përkrahje potenciale nga paaftësia e Qeverisë së Kosovës, për ta zgjidhur krizën.

Gashi, po ashtu, ka thënë se duhet të ketë një ridefinim të opozitbërjes në Kosovë.

Opozita po është ekstremisht e kujdesshme për t’u quajtur si opozitë në këtë temë. Opozita ka rënë në një frikë totale, duke e bërë distancimin mes kërkesës dhe grevës. Edhe po don të marrë një përkrahje potenciale, ose të përfitojë nga paaftësia e qeverisë të zgjidhë krizën me sindikatën. Duke thënë që unë e përkrahi rritjen e pagave, por po frikësohet ta bëjë betejën me qeverinë, që është ta përkrahë grevën”, ka thënë Gashi.

“Ky është një sindrom që e ka kapur opozitën, ose ka hesape të pakryera me vetveten dhe ka frikë të ballafaqimit me pozitën, ose ka mungesë të guximit intelektual për t’i shkuar gjërave deri në fund, paraqitet më së thjeshti në këtë pikë. Pra jam për kërkesat, por jam kundër grevës. Nuk mund të jesh kundër grevës dhe pro kërkesave”, ka vijuar ai.

Tutje, Gashi ka folur për Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke e cilësuar opozitën e saj si të “kujdesshme”. Ai ka thënë se kur ishte kryeministër Avdullah Hoti, njëjtë sikurse Hekuran Murati, i kishte kërcënuar mësimdhënësit me ndalje të pagës nëse hyjnë në grevë.