Nuk kalon rezoluta e PDK-së për grevën e BSPK-së

Date:




Kuvendi i Kosovës, nuk e ka miratuar rezolutën e Partisë Demokratike të Kosovës, për Grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Në votim kanë marrë pjesë 67 deputetë, 22 prej tyre kanë votuar për këtë rezolutë, 39 kundër dhe gjashtë abstenime.

Kjo rezolutë ishte një nga pikat e papërfunduara nga Seanca plenare e një ditë më parë, ku kishte edhe debat të ashpër në mes të pozitës dhe opozitës.

Partitë opozitare, vazhdimisht e kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se janë fajtor për grevat e gjithmbarshme të sindikatave.

Ndërkaq, përfaqësuesit e qeverisë, kanë thënë se greva është politike dhe ajo ka filluar vetëm për ta kundërshtuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Grevat e sindikatave, kanë filluar që nga data 25 gusht të këtij viti dhe janë duke vazhduar ende. Kërkesë kryesore e tyre është shtesa prej 100 eurove, deri në miratimin e Ligjit të Pagave, i cili tashmë është në konsultim publik.

Kryeministri i Kosovës, është takuar me krerët e Këshillit Grevist, por nuk kanë arritur të gjejnë kompromis në lidhje me grevat. Të dyja palët pas takimit e kishin akuzuar njëra-tjetrën, për dështim të një marrëveshje.