A mund të zëvendësohen mjekët që ikin nga Kosova?

44

“Fakti që ‘për ditë’ lëshohet Kosova nga mjekët, tregon se nuk shohin ndonjë perspektiv të ndritshme këtu”, kështu ka vlerësuar kardiologu Gani Bajraktari.

Sipas Bajraktarit, mjekët janë duke lëshuar Kosovën në dy mënyra, e para është ikja nga atdheu, ndërsa, e dyta ka të bëjë me mos rehatinë e tyre në sektorin publik, e që arsyeja kryesore është paga.

Duke pasur parasysh këtë situatë në këtë sektor, Bajraktari e konsideron shumë të vështirë zëvendësimin e një eksperti mjekësorë.

“Është koncept i marrë ai që mendon se, një ekspert mjekësor mund ta zëvendësojë me një mjek brenda ditës, sepse eksperti mjekësor donë dekada për tu perfeksionuar, dhe për të qenë i kompetent për të ushtruar profesionin e tij”.

Ndërsa, ai ka thënë se për të punuar në institucionet publike të shëndetësisë, është “jo e dinjitetshme”, sepse “paga nuk e vlerëson punën dhe kontributin e stafit mjekësor, dhe ata nuk ia dalin dot t’i mbajnë familjet e tyre nga këto të ardhura”.

Gani Bajraktari, kardiolog

Ndërkohë Bajraktari, ka treguar për pasojat e mundshme nga ikja e mjekëve kosovar në shtete tjera.

“Një ndër pasojat e ikjes së mjekëve, është mundësia e perfeksionimit të mirë profesional, sepse është një dispropocion ndërmjet mjekëve senior dhe specializantëve, domethënë një numër i madh i specializantëve, për hapësira dhe kushte jo fort të favorshme’’.

Ndërsa, “trajtimi  jo adekuat i këtyre profesionistëve shëndetësor nga qeveritë që nga paslufta deri më sot” ika shtyrë sipas tij ata të ikin për një jetë më të mirë.

Se çfarë e pret Kosovën pas 10 vjetëve ka treguar dhe kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK), Pleurat Sejdiu.

Pleurat Sejdiu nga OMK

“Gjatë 10 viteve te ardhshme në pension do të dalin mbi 13 mijë e 50 mjek, pritet të largohen rreth 1 mijë e 700 mjek, dhe pritet që mbi 600 të largohen në sektorin privat”.

“Ndërsa Fakulteti i Mjekësisë do të mund të “prodhoj” minimum 17 mjek. Mund ta bëni vet bilancin. Kriza serioze për mjek dhe shërbime shëndetësore do ndihet jo me larg se 5 vjet nga tani”,  ka thënë Sejdiu nga OMK.

Ai ka përfunduar duke treguar se në kohën e fundit janë 172 mjekë, të cilët e kanë marrë “vërtetimin e “pastërtisë etiko-profesionale, dokument që ju duhet për punësim në shtetet e BE”.

Ikja e mjekëve është për shkak të ‘trendit global’, apo për ndonjë arsye tjetër?

“Pa diskutim qe mbetet dëshira e lirë e mjekëve të rinj që të krijojnë karrierën e tyre në vende me sistem shëndetësor të avancuar, infrastrukturë të pasur shëndetësore por edhe paga më të mira”, kështu e ka vlerësuar ikjen  mjekëve deputetja e Vetëvendosjes (VV), Labinotë Demi-Murtezi, dhe njëherit anëtare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi.

Labinotë Demi-Murtezi nga LVV-ja

Sipas saj, Kosova mund ta kalojë këtë problem sepse e ka “në krye të saj një ministër me përvojë të madhe profesionale e menaxheriale”.

“Pagat e mjekëve, të cilat për momentin janë shumë modeste në krahasim me përgjegjësitë, mundin dhe kontributin e mjekeve dhe stafit mbështetës të tyre”, ka shtuar ajo.

Demi-Murtezi, ka përfunduar duke thënë se duhet të përmirësohet raporti në mes stafit shëndetësorë dhe pacientëve.

Por, krejt ndryshe mendon anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu.

“Nuk është trend global ikja e mjekëve nga Kosova, por është shndërruar në dukuri në vitet e fundit në Kosovë me përmasa shqetësues në vitin 2021/2022, sepse kemi jo vetëm ikjet e mjekëve nga Kosova, por edhe ikje të mjekëve nga sektori publik, në atë privat” , ka deklaruar Haxhiu.

Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së

Sipas tij, qeveria duhet që sektorin e shëndetësisë ta trajtojë me prioritete duke investuar në përmirësime të kushteve të punës së mjekëve.

“Problemi i ikjes së profesionistëve shëndetësorë është si pasojë e mungesës së strategjisë dhe planit të Qeverisë në shëndetësi”, ka përfunduar Haxhiu, duke konsideruar sektorin e shëndetësisë të lënë në harrës nga ekzekutivi.

Ndërsa, Shemsedin Dreshaj, anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi  nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka propozuar që të krijohen strategji e cila do të parandalonte ikjen e mjekëve.

Shemsedin Dreshaj nga AAK-ja

“Të krijohen kushte adekuate, pra strategji për të zgjidhur problemin e ikjes së mjekëve, është të ulen dhe të bisedojnë me ta dhe të shohin kërkesat e tyre, të cilat janë duke i stimuluar mjekët që të ikin jashtë vendit”, ka theksuar Dreshaj.

Se si ndikon ikja e mjekëve në jetën e pacienteve ka treguar kryetari i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra.

Besim Kodra

“Impakti do të jetë fillimisht në rritjen e listave të pritjes për trajtim. Kjo e rritë pasigurinë shëndetësore, e ulë cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe zvogëlon konkurrencën”, ka deklaruar.

Sipas tij, pasojat tek pacientët do të vërehen në shëndet më të dobët, ulje të jetëgjatësisë, dhe lëngim më të madh nga sëmundjet.

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Rifat Latifi, në një konferencë për media të premten, ka thënë se mjekësia nuk bëhet brenda natës, dhe as nuk pritet të bëhet në dy vjetët e ardhshme, duke theksuar se i duhen 5-10 vjet për të ndryshuar shëndetësinë në Kosovë.

Latifi, ka deklaruar se qeveria ka bërë analizë, dhe se ka krijuar strategji afatmesme, dhe afatgjate të bazuara në nevojat e sistemit shëndetësor të Kosovës.

Po ashtu, ai ka thënë se tashmë kanë vizion të qartë sesi do të duket sistemi shëndetësor pas 5-10 vjetët e ardhshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here