Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi ka mbajtur të dielën mbledhjen e dytë, u premtua se do të punohet për reforma në shëndetësi

43





Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi ka mbajtur të dielën e 25 shtatorit, mbledhjen e dytë, në të cilën u theksua nga Kryeministri i vendit, Albin Kurti, njëherësh edhe udhëheqës i këtij komisioni se synimi i Komisionit përpos dhënies së shërbimeve është mbërritja e standardit më të lartë të mundshëm në kujdesin shëndetësorë për qytetarët e vendit, kjo u bë e ditur përmes një postimi në faqen e kryeministrisë.

Kështu anëtarët e Komisionit u dakorduan për 4 pikat si në vijim;

1. Për të plotësuar nevojat e pacientëve në institucione publike shëndetësore, Kryeministri Kurti, javën që vjen, do të nënshkruajë Udhëzimin Administrativ për Licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj. Me këtë Udhëzim, do të lehtësohen procedurat e licencimit të profesionistëve të mërgatës, si dhe të atyre të trojeve shqiptare. Në afatshkurtër komplementariteti me profesionistë nga mërgata e rajoni do të plotësojë ofrimin e shërbimeve që mungojnë ose rrezikojnë të mos ofrohen. Teksa njëkohësisht institucionet punojnë me ritëm të shtuar për trajnimin dhe aftësimin e profesionistëve vendas për të ofruar këto shërbime në të ardhmen.

2. Çdo orë kur mungon një profesionist shëndetësor gjatë orarit të tij të punës është jo vetëm një orë e vjedhur nga shteti, por edhe kërcënim ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve tanë. Andaj, për të siguruar respektimin e orarit të punës nga ana e punonjësve të institucioneve publike, sidomos atyre që janë të punësuar edhe në sektorin privat, Komisioni do të marrë masa për mbikëqyrje të shtuar ndaj të gjithë drejtuesve të njësive në sektorin publik që janë përgjegjës për kontrollin e mbarëvajtjes në punë të vartësve të tyre.

3. Komisioni do të kërkojë në mënyrë urgjente rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit përmes Inspektoratit Shëndetësor dhe Inspektoratit Farmaceutik, në të gjithë sektorin shëndetësor, publik dhe privat, për të parandaluar e ndëshkuar shkeljet e detyrimeve ligjore që rezultojnë në dëmtim të pacientëve në shëndetin, integritetin apo dhe financat e tyre dhe

4. Brenda dy muajve Komisioni do të miratoj  aktet statutare dhe do të hapet rruga për konkursin i cili do ta bëjë QKUK-në me drejtor.

Në fund, Komisioni theksoi se do të mbajë takime dhe aktivitete më shpesh, me qëllim që reformat të arrihen më shpejtë në sektorin shëndetësorë.





LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here